Rama: Kanionet e Osumit dhe Shpella e Pirogoshit, skena e aventurës që po zhvillohet çdo ditë

TIRANË, 25 qershor/ATSH/ Kanionet e Osumit vitet e fundit janë shndërruar në një destinacion turistik gjithmonë e më të pëlqyer për aventurierët e sporteve të “adrenalinës”.
Kryeministri Edi Rama ndau sot në rrjetet sociale momente nga zhytja në ujërat e Osumit të të pasionuarve pas sporteve të aventurës.
“Kanionet e Osumit dhe Shpella e Pirogoshit janë skena e aventurës që po zhvillohet çdo ditë”, shkruan Rama.
Në videon e publikuar nga Rama paraqet Komin, një nga të rinjtë që i është përkushtuar turizmit të eksperiencës, nga ‘canyoning’, te sportet ekstreme, nga ajri e deri te eksplorimi në shpella.
Guidat e qarkut të Beratit tashmë janë përshtatur me kërkesat e turistëve të huaj dhe po e kthejnë natyrën e kanioneve në një paketë të plotë turistike.
Sapo kalon qytetin e Çorovodës dhe merr sipër rrjedhën e lumit, të shfaqet pamja e mrekullueshme e kanioneve të Osumit, rreth 13 kilometra të gjatë, nga 4 deri në 35 metra të gjerë, 70-80 metra të thellë, me shpate vertikale, përfund të cilave rrjedh lumi i Osumit.
Rafting në Kanionet e Osumit është tashmë një nga guidat më të preferuara pothuajse nga të gjitha grupmoshat.
Skrapari është i rrethuar me mrekulli, që nga tunelet e Pirogoshit, Ura e Kasabashit, shpella e Pirogoshit, te Kanionet e Osumit, Gjurma e Abaz Aliut, Mulliri i Babait, Tunelet e ish-Thesarit të Shtetit, Vrima e Nuses, Tyrbja e Abaz Aliut, etj.
/k.s/j.p/