E Martë, 3 Nëntor 2026

“The World’s 50 Best Beaches”: Grama dhe Gjipeja, ndër plazhet më të mira në Evropë

TIRANË, 25 qershor /ATSH/- Ekspertët globalë të udhëtimeve e kanë renditur bregdetin shqiptar në listën e “50 Plazheve më të mira në Evropë, për vitin 2025”.

Platforma e njohur – “The World’s 50 Best Beaches” – e cila i dedikohet bukurive natyrore ka renditur në listën e plazheve më të bukura në Evropë, Gjiret e Gramës dhe të Gjipesë.

Sipas listës së votuar nga mbi 1000 influencerë, gazetarë dhe blogerë të udhëtimeve në botë – Gjiri i Gramës renditet në vendin e 12, ndërsa ai i Gjipesë në vendin e 30-të, duke lënë pas plazhe të njohura të Italisë, Spanjës, Greqisë dhe Francës.

Gjiri i Gramës

Gjiri i Gramës, i cili është përfshirë në këtë listën prestigjioze, është një nga perlat e bregdetit Jon.

Këtu, deti hyn midis masiveve shkëmbore, duke krijuar një plazh fantastik ku bie në sy uji kristalor me një kombinim unik ngjyrash.

Gjiri i Gjipesë

Gjiri i Gjipesë, nga ana tjetër, ndodhet në hyrje të një kanioni spektakolar, duke u bërë një simbol i ekoturizmit dhe aventurës në Shqipëri.

I arritshëm si nga bregu ashtu edhe nga shtegu, ky gji ofron pamje mahnitëse dhe një natyrë pothuajse të virgjër, shumë pak të eksploruar.

Përfshirja e këtyre dy gjireve në këtë renditje dëshmon edhe një herë se Shqipëria është një vend që ofron vlera të paçmuara natyrore dhe që po përfshihet gjithnjë e më shumë në listën e destinacioneve elitare mesdhetare.

Lista e “50 Plazheve më të mira në Evropë për vitin 2025”, është përzgjedhur nga ekspertë të udhëtimeve, të cilët marrin në konsideratë elementë si autenticiteti, natyra e paprekur, qetësia dhe përvoja unike që ofrojnë plazhet.

“Në pesë muajt e parë të këtij viti, Shqipëria është vizituar nga mbi 3,4 milionë turistë të huaj ose 3,9% më shumë krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit 2024”, sipas INSTAT. //a.i/

https://worlds50beaches.com/top-50-european-beaches/

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›