E Hënë, 2 Nëntor 2026

Rama: Lirimi i hapësirave publike do të shkojë deri në fund, do t’u kthehen qytetarëve

TIRANË, 24 shtator /ATSH/ Kryetari i Partisë Socialiste dhe njëherazi Kryeministri Edi Rama ka deklaruar sot se nisma për lirimin e hapësirave publike në Tiranë do të vijojë deri në fund, duke përfshirë jo vetëm çmontimin dhe largimin e ndërtimeve të paligjshme që kanë mbushur kryeqytetin, por duke i kthyer ato në funksion të qytetarëve.

Në një takim me deputetët e qarkut Tiranë dhe ministrat e qeverisë, Rama theksoi se do të mendohet për atë që do të ndodhë pas këtij procesi. Ai shtoi se këto hapësira nuk mund të mbeten të lëna pa përfunduar, por do të transformohen në hapësira publike cilësore, të dobishme për të gjithë qytetarët.

“Duhet të kthejmë hapësirat publike në atë që janë, hapësira për qytetarët dhe jo për përdorime që kanë cenuar cilësinë e jetës urbane. Kjo është vetëm fillimi i një procesi të madh, ku nuk do të lejojmë që ato hapësira të zëvendësohen nga elementë që nuk u shërbejnë qytetarëve”, tha Rama.

Kryeministri po ashtu theksoi se këto hapësira do të rikthehen si pjesë e një infrastrukture më të mirë, për të përmirësuar jetën e qytetarëve dhe për të krijuar mundësi të reja për aktivitete dhe ndërveprime sociale.

Rama thekson angazhimin e qeverisë për një Tiranë më të pastër dhe më të organizuar, duke larguar çdo ndërhyrje që ndikon në cilësinë e jetesës urbane.

Kryeministri vuri në dukje se, kjo nismë, që synon ta bëjë qytetin më të aksesueshëm dhe funksional për të gjithë, është një hap i rëndësishëm në drejtim të modernizimit të infrastrukturës dhe ambientit urban në kryeqytet.

/r.e/a.f/

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›