Shkarkimi i Mahilës, Rama: Ky akt të jetë norma, parimi i palëkundur i atyre që qeverisin

TIRANË, 24 shtator /ATSH/ Kryeministri Edi Rama komentoi sot shkarkimin e zëvendësministrit të Brendshëm, Andi Mahila, i cili u largua nga posti pas publikimit të një videoje ku shihej duke pirë duhan në një ambient të mbyllur (lokal). Ky veprim nxiti ministren e Punëve të Brendshme, Albana Koçiu të kërkojë largimin e Mahilës nga detyra.
Në një takim me deputetët e Tiranës dhe ministrat e qeverisë, Rama u shpreh se incidenti u shfrytëzua shumë nga ata që po e përçmonin këtë akt, duke e konsideruar si një çështje pa rëndësi.
“U bë një llomotitje e madhe nga ata që, siç thashë, iu ka rënë Diella në kokë dhe duhet të presin gjatë sa ta marrin veten, por kur të jenë duke marrë veten do duhet të përballojnë fëmijët e Diellës, të cilët e përgojuan me shpotinë karakteristike të delirantit provincial për shkarkimin që Ministrja e Brendshme i bëri zëvendësit për tymosjen e cigares në një lokal të mbyllur, dhe të mos e përshëndesësh këtë akt dhe të mos kërkosh që ky akt të jetë norma, të jetë parimi i palëkundur i atyre që qeverisin, por të bësh hajgare me të, do të thotë të jesh një bisht cigareje i mbetur më kot në taketuken e jetës demokratike”, tha Rama.
Në fjalën e tij, Kryeministri foli edhe për zgjedhjet lokale, veçanërisht për zgjedhjet për bashkinë e Tiranës.
“Nuk kam asnjë dyshim që patronazhistët mezi po presin që të ‘hakmerren’ ndaj përqeshjeve të radhës, me një reagim të duhur të radhës, i cili do të pasqyrohet në rezultatin e zgjedhjeve për bashkinë e Tiranës, kur ato të mbahen sipas procedurave, se nuk jemi ne që vendosim ditën e zgjedhjeve. Po flas për Tiranën, se pastaj për Matin apo për Vlorën, apo për nuk e di akoma se çfarë ka tjetër, besoj që goditja e patronazhistëve të atjeshëm, do jetë edhe më dëshpëruese sesa ajo e Tiranës, ku sidoqoftë, prapëseprapë do të zhvillohet një garë, siç do zhvillohet kudo, sepse në fund të fundit ne për këtë punë jemi këtu, të fitojmë çdo garë që na del përpara me qetësinë më të madhe dhe patjetër me bindjen se pavarësisht se ne jemi fitimtarë, jemi fitimtarë pikërisht sepse vazhdojmë të zgjohemi më herët dhe të flemë më vonë sesa humbësit”, deklaroi Rama.
/e.xh/a.f/r.e/