Rama: Trajtimi i mbetjeve hyn në fazë të re, mbledhja detyrë ekskluzive e bashkive

TIRANË, 24 shtator /ATSH/ Kryeministri e njëherësh kryetari i Partisë Socialiste, Edi Rama zhvilloi sot një takim me deputetët dhe ish-deputetë të PS-së për qarkun e Tiranës, si dhe me ministrat e kabinetit, në kuadër të zgjedhjeve të parakohshme për bashkinë e kryeqytetit.
Gjatë fjalës së tij, Rama u ndal edhe te trajtimi i mbetjeve, për të cilat tha se tashmë do të krijohet një operator kombëtar për trajtimin e tyre.
“Qytetarët kanë shqetësim mbledhjen dhe trajtimin e mbetjeve. Edhe për këtë, jo vetëm për Tiranën, por për të gjithë territorin, ka filluar sikundër e kemi prezantuar me ish-ministren e Turizmit dhe Mjedisit, procesi i krijimit të një autoriteti kombëtar, të një operatori kombëtar për trajtimin e mbetjeve.
Mbledhja e mbetjeve do të vijojë të mbetet detyrë ekskluzive e bashkive, duke mbajtur parasysh se niveli i bashkive është përmirësuar jo mjaftueshëm, por ndjeshëm, dhe ka vend akoma për përmirësim, gjë për të cilën do t’u qëndrojmë mbi kokë bashkive”, u shpreh Rama.
Rama theksoi se trajtimi i mbetjeve, i cili ka hyrë në një fazë krejt të re me qeverinë socialiste, duhet të ngrihet në një nivel krejt tjetër.
“Por, nga ana tjetër, trajtimi i mbetjeve, që ka hyrë në një fazë krejt të re me ardhjen tonë në qeveri, sepse jetonim në një vend me një numër marramendës pikash ilegale të hedhjes së mbeturinave dhe me një numër më të vogël se gishtat e një dore të pikave të trajtimit të mbetjeve dhe që sot ka shumë më tepër investim dhe infrastrukturë, do të duhet të ngrihet në një nivel krejt tjetër”, tha Rama.
/m.q/a.f/r.e/