E Hënë, 2 Nëntor 2026

Rama: Ndryshime në reformën territoriale, shmangim prokurorë dhe gjykatës që bëjnë “lojëra të çuditshme”

TIRANË, 11 korrik/ATSH/ Kryeministri Edi Rama paralajmëroi sot ndryshime në reformën territoriale, me qëllim shmangien e “lojërave të çuditshme” që bëjnë prokuroritë dhe gjykatat në lidhje me ndërtimet pa leje.

“Në reformën e re të territorit do të bëjmë përcaktime përfundimtare për të shmangur prokurorë dhe gjykatës, si zonja Gjeli, që bëjnë “lojëra të çuditshme”, si dhe ato që fillojnë që nga IMT, IKMT dhe Policia Bashkiake për ndërtimet pa leje”, tha Rama, gjatë takimit me drejtues të pushtetit vendor dhe anëtarë të kabinetit qeveritar.

Kryeministri kërkoi gjithashtu që kushdo që ndërton pa leje apo bën shtesa mbi ndërtime ekzistuese, të paguajë shtrenjtë për veprimin e tij.

“Nuk mund të ndodhë që me taksat e shqiptarëve të paguajmë për pastrimin e mijëra metrave kub beton nga prishjet. Nuk mund të ndodhë që dikush të ndërtojë pa leje dhe pastaj të mos ndëshkohet”, theksoi Rama.

Ai bëri të ditur se administratorët e firmave të ndërtimit do të shkojnë në burg në rast se kryejnë ndërtime pa leje.

“Ata që merren me ndërtime nuk duhet t’i marrin në qafë administratorët e kantiereve për shkak të moszbatimit të ligjit”, përfundoi Kryeministri.

/a.gj//a.f//r.e/

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›