Rama kryetarëve të bashkive: Çështja e burimeve njerëzore të adresohet në universitete

TIRANË, 11 korrik /ATSH/ Kryeministri Edi Rama zhvilloi sot një takim me kryetarët e bashkive të vendit, në qytetin e Durrësit.
Duke iu referuar ndërtimeve pa leje dhe monitorimit të terrenit, gjatë fjalës së tij kreu i qeverisë u ndal edhe te çështja e burimeve njerëzore, ku nënvizoi se kjo duhet të adresohet në universitete.
“Kjo çështja e burimeve njerëzore duhet adresuar dhe me universitetet, nuk është aspak e pamundur që ti drejtohemi universiteteve për të bërë matjet, punë në terren. Kemi disa universitete që janë nëpër territore, kanë fakultete, bëhet një kontratë me fakultetin, bëhet një kontratë me fakultetin për pedagogët dhe studentët dhe ata bëjnë një rrugë e dy punë, bëjnë dhe praktikë pune dhe një punë në shërbim të bashkisë, por ne duhet t’i realizojmë këto objektiva që kemi vënë.
“Për bashkitë e vogla mbetet i njëjti problem, ai që thamë, i burimeve njerëzore. Nuk mund t’i thuash Finiqit apo Hasit, apo një bashkie tjetër të vogël se pse nuk ke! Këtu duhet gjetur një rrugë për zgjidhje, sepse këto bashkitë e vogla kanë edhe një numër më të vogël ndërtimesh dhe kjo mund të bëhet me misione të posaçme të grupeve dhe prandaj thashë me universitete, mund të angazhohen misione të posaçme që të shkojnë në praktikë atje, të mirëpriten, dhe të bëjnë dhe punën. Goditje maksimale për ata më të mëdhenjtë dhe kufizim për ata më të vegjlit, që mos të bëjnë gabime që ju kushtojnë financiarisht dhe moralisht”, tha Rama.
/m.q//r.e//a.f/