E Diel, 1 Nëntor 2026

Rama: Të jesh në opozitë dhe të të përzënë nga protesta, “amanet mushkat”

TIRANË, 18 shtator/ATSH/ Kryeministri Edi Rama tha sot, gjatë fjalës së tij në Kuvend, se të jesh në opozitë dhe të përzënë nga protesta është “amanet mushkat”.

Ndërsa diskutohej për ndryshimet ligjore për pagën e magjistratëve, Rama iu përgjigj deputetes së PD-së, Jorida Tabaku, e cila tha se kreu i qeverisë duhet të shohë edhe nga protestat.

“Do të doja që dikush t’ia përcillte fjalën time zonjës Tabaku, meqë s’është prezente, sepse foli me shumë pasion për protestën 100 e kusur ditore, dhe t’i thotë që të jesh në qeveri dhe të protestojnë kundër teje quhet demokraci, por të jesh në opozitë dhe të të përzënë nga protesta si sëmundje ngjitëse, quhet amanet mushkat, se kuajt ikën”, tha Rama.

Deputetja e Partisë Demokratike replikoi duke theksuar se qytetarët po i kërkojnë dorëheqjen kryeministrit.

“Provo njëherë, dil atje, se kanë provuar këta të tutë dhe i kanë tërhequr zvarrë. Së dyti, në vend që t’i dëgjosh e t’i marrësh si këmbanë alarmi ato që kërkojnë njerëzit atje, sillesh përsëri me të njëjtën arrogancë që i ka sjellë ata njerëz të dalin atje në shesh. Sot ka një thirrje të qytetarëve dhe thirrja është: ‘Rama, jep dorëheqjen!’ Dëgjoje, meqenëse dëgjon turmën, edhe zbato kërkesat e tyre”, tha Tabaku.

Rama tha se sot protestueve nuk u hynkë gjkë në këmbë, ndryshe nga sa ndodhi më 21 janar 2011.

“Kur qytetarët protestojnë poshtë dritares së qeverisë, quhet demokraci dhe kur e bëjnë këtë pa u hyrë gjemb në këmbë, quhet krenari. Aq më tepër kur e bëjnë në po atë bulevard ku janë vrarë dhe janë plagosur. Por kur qytetarët që protestojnë i thonë opozitës dhe juve personalisht ‘largohu’, atëherë është një sëmundje ngjitëse që ajo protestë nuk e do. Dhe nuk kanë faj, sepse ju jeni një sëmundje ngjitëse e humbjes kronike. Kush ju afrohet, humb, humb, humb.”, tha Rama.

/a.f/r.e/

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›