E Hënë, 2 Nëntor 2026

Rama: Nuk ka pushim, hapësirat publike do të çlirohen

TIRANË, 18 shtator /ATSH/ Lirimi i hapësirave publike nga ndërtimet e paligjshme po vijon në gjithë territorin e vendit, ndërsa deri tani nga qytetarët janë raportuar 11 227 raste abuzimesh në platformën “Hapësira ime publike”.

E konceptuar si një ndërhyrje sistematike në terren dhe jo një aksion i përkohshëm, nisma për lirimin e hapësirave publike synon të përmirësojë cilësinë e jetës urbane dhe të rrisë funksionalitetin e bizneseve.

Kryeministri Edi Rama publikoi sot në rrjetet sociale pamje nga ndërhyrjet që po kryhen për çmontimin e strukturave metalike të ngritura pa leje mbi trotuare dhe rrugë publike.

“S’ka pushim jo, hapësirat publike do çlirohen”, u shpreh Rama, duke iu referuar nismës kombëtare për lirimin e hapësirave publike, e cila ka nisur në muajin korrik 2025.

Ndërhyrja në terren do të vazhdojë deri në largimin e plotë të të gjitha strukturave pa leje, si pjesë e vizionit të qeverisë “Rilindja Urbane 2.0”.

Paralelisht me këtë proces po hartohet Rregullorja Kombëtare, e cila do të përcaktojë me ligj hapësirat që mund të shfrytëzojnë bizneset. Kryeministri Rama ka bërë të ditur se “për çdo karrige të vendosur në hapësirën e kufizuar, subjekti duhet të kontribuojë me një pemë në Fondin e Gjelbër, që do të krijojë qeveria e re”.

Për këtë qëllim në dispozicion të qytetarëve të cilët duan të denoncojnë rastet abuzive është vënë në dispozicion Portali “Hapësiraimepublike.gov.al”. Deri më sot në këtë portal janë raportuar 11 227 raste, nga të cilat janë zgjidhur 8 052 raste, ndërsa 3 175 të tjera janë aktualisht në proces shqyrtimi.

/m.m/j.p/

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›