E Hënë, 2 Nëntor 2026

BM – Trump: Putini më zhgënjeu vërtet, mes përpjekjeve të bllokuara për paqe në Ukrainë

LONDËR, 18 shtator /ATSH-DPA/- Presidenti i SHBA-së, Donald Trump tha se ishte “i zhgënjyer” nga homologu i tij rus, Vladimir Putin mes përpjekjeve të bllokuara për paqe pas disa javësh sulmesh ruse ndaj Ukrainës.

Trump, fillimisht kishte menduar se lufta – të cilën më parë pretendonte se mund ta ndalonte brenda një dite – pas rikthimit në Shtëpinë e Bardhë, do të kishte qenë “më e lehta” nga të gjitha konfliktet për t’u zgjidhur.

Por, një marrëveshje paqeje duket se nuk është më afër – pavarësisht bisedimeve të udhëhequra nga Uashingtoni, prej disa muajsh – ndërsa ultimatumet dhe afatet e Trump për udhëheqësin rus që të angazhohet në propozime – kanë kaluar pa pasoja të dukshme.

“Jam shumë i nderuar t’ju them se kemi zgjidhur shtatë luftëra që ishin të pazgjidhshme, luftëra që nuk mund të negocioheshin, SHBA-ja ka zgjidhur shtatë prej tyre”, tha Trump gjatë një konference për shtyp në rezidencën e kryeministrit britanik, Chequers.

“Mendova se do të ishte më e lehtë – për shkak të marrëdhënies sime me presidentin Putin, por ai më ka zhgënjyer”, tha Trump.

Presidenti ukrainas, Volodymyr Zelensky tha më herët se Moska kishte lëshuar mijëra dronë dhe bomba të fuqishme rrëshqitëse, si dhe qindra raketa, në objektivat brenda vendit, gjatë dy javëve të fundit.

Përpara se të mbërrinte në Britani të Madhe, Trump u tha gazetarëve në Uashington se Zelensky do të duhej të bënte një marrëveshje për t’i dhënë fund luftës, megjithëse nuk dha detaje. //a.i/

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›