E Martë, 3 Nëntor 2026

Rama: Nuk mund ta hedhim në kënetë fatin europian të shqiptarëve

TIRANË, 1 maj/ATSH-Maela Marini/ Kryeministri Edi Rama, njëkohësisht kryetar i Partisë Socialiste, u shpreh sot se në 11 maj nuk mund ta hedhim në kënetë fatin europian të shqiptarëve.

Në një takim elektoral sot në Kuçovë, Rama shprehu bindjen se në 11 maj opozita do të marrë mësimin më të madh që ka marrë në të gjitha zgjedhjet që janë bërë.

“Këtu do të vijnë të gjithë udhëheqësit e Europës. Do të vijnë jo vetëm ata të BE-së, por edhe të tjerët që nuk janë në BE, nga Britania e Madhe, Turqia etj. Të tërë udhëheqësit kur të vijnë këtu mesazhi duhet të ketë dalë qartë se shumica dërrmuese e shqiptarëve do të hyjë tani në BE”, u shpreh Rama.

Rama tha se “në 11 maj shqiptarët duhet të votojnë PS-në që vendi të shkojë aty ku kemi misionin, në BE”.

“Nuk mund të rrimë t’ju shpjegojmë të huajve kush është “bufi” dhe si ka mundësi që “bufi” ka hyrë në jetën e njerëzve. Nuk mund t’i shpjegojmë dot këto, kështu që t’i biem shumë shkurt, te 5 me PS-në, me kandidatë tuaj dhe të shkojmë aty ku e kemi misionin. Fati e ka dashur të na vijë sot në dorë kjo dhe ne nuk mund dot ta hedhim në kënetë fatin europian të shqiptarëve”, tha Rama.

/r.e/a.f/

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›