E Martë, 3 Nëntor 2026

Rama: E kthyem barazinë përpara ligjit nga një slogan, në një fakt

TIRANË, 1 maj /ATSH/ Kryeministri, njëherësh kryetari i Partisë Socialiste, Edi Rama foli sot nga Kuçova mbi progresin e Shqipërisë në fushën e drejtësisë.

Rama ironizoi opozitën që pretendon se nuk i takon një mandat i 4-t PS-së, teksa deklaroi se, “ishte PS, kjo forcë politike që e ktheu barazinë përpara ligjit nga një slogan, në një fakt”.

“Një nga pretendimet e “kënetës” edhe të “moçalishteve” rrotull saj është se ne nuk e meritojmë një mandat të 4-t, sepse paskemi gjysmën e qeverisë në burg. E para, kjo nuk është e vërtetë! Është e vërtetë plotësisht që në momentin që ne “i hymë detit në këmbë” për të bërë reformën në drejtësi, shqiptarët po shohin diçka që nuk e kanë parë që nga 1912-a. Shqiptarët në këto vite nuk panë kurrë një njeri të lidhur me pushtetin që të shkonte para një prokurori të pavarur dhe të jepte llogari, dhe të dilte para një gjykatësi të pavarur, dhe të merrte dënim. Kjo, sepse drejtësia ka qenë e çarmatosur dhe ‘shpata’ e ndëshkimit të drejtësisë ka qenë në zyrën e të parit të qeverisë”, u shpreh Rama.

“Për të herë të parë një forcë politike si e jona, i dorëzoi “shpatën” dhe tërhoqi duart nga sistemi i drejtësisë duke e kthyer drejtësinë përpara ligjit nga një slogan, në një fakt”, deklaroi Rama.

/a.f//r.e/

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›