Kontrata e lobimit në SHBA, Berisha: Synon mbrojtjen e kauzave të popullit opozitar

TIRANË, 1 maj /ATSH/ Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha deklaroi sot se, kontrata e lobimit të PD në Shtetet e Bashkuara të Amerikës ka synim mbrojtjen e kauzave të popullit opozitar.
Në një konferencë për shtyp Berisha u shpreh se, “së pari, kjo kontratë nuk ka asnjë lidhje me zgjedhjet”.
“Kjo kontratë ka një qëllim tjetër, marrëdhëniet e Shqipërisë me SHBA, paraqitjen e realitetit shqiptar me të gjithë problematiket e mëdha të tij para administratës së SHBA”, tha Berisha.
Ai u shpreh se, “nuk do ndodhë dhe nuk mund të ndodhë më që pa u mbyllur kutia e fundit, Edi Rama urohej për fitoren. Jo pa u numëruar, pa u mbyllur kutia”.
“Së dyti, ne besojmë se bashkëpunimi i Edi Ramës me bandat dhe krimin është rrezik jo vetëm për Shqipërinë, rajonin, Europën, por edhe për SHBA”, tha Berisha.
Së treti, shtoi kreu i PD, “ne besojmë se çështja McGonigal është një varr i hapur dhe duhet të mbyllet”.
Së katërti, nënvizoi Berisha, “pa dyshim për ne përparësi janë marrëdhëniet me SHBA në të gjitha aspektet, dhe ne nuk mund të mohojmë se u hodh shumë baltë mbi partinë më proatlantiste, mbi PD-në dhe përpjekjet e saj”.
Ndaj, theksoi ai, “është marrë një avokat, ndër më të shquarit e asaj toke, i cili ka për detyrë avokatinë e kauzës së drejtë të PD pranë administratës së presidentit Trump”.
“Nuk ka të bëjë me zgjedhjet kjo, fare. Ka një nen, neni 21 i ligjit “Për partitë politike”, nen që autorizon partitë politike të marrin ndihma, mbështetje financiare nga forca të tjera politike, organizata ndërkombëtare partiake politike dhe fondacione. Pra, kontrata është 100 për qind e bazuar në ligj”, theksoi Berisha.
Kreu i PD u shpreh se, “populli opozitar nuk është popull jetim. Edi Rama duhet të marrë të gjithë përgjigjet që meriton për ato që i ka bërë Shqipërisë në luftën e tij për një Shqipëri pa opozitë”.
“Lidhur me milionat që numëroni, mos harroni, kontrata ka një nen, sipas të cilit, palët në çdo rrethanë që do ta konsiderojnë të dobishme për veten e tyre, ndërpresin kontratën. Prandaj nuk mund të flasësh për 6 milionë, nuk mund të flasësh as për 100 mijë apo 200 mijë. Kontrata është në varësi sipas kërkesave të palëve, dakordësisë së palëve, objektivave të palëve”, shpjegoi Berisha.
Por, shtoi ai, “një gjë është e sigurt, populli opozitar nuk ka më një kauzë jetime. Në atë vend të madh, ajo kauzë ka një avokat të madh”.
/a.f//r.e/