E Martë, 3 Nëntor 2026

Rama: Pasaporta europiane garanton njohje të viteve të punës dhe pensioneve për shqiptarët jashtë

TIRANË, 1 maj/ATSH-Maela Marini/ Kryeministri Edi Rama, njëherësh kryetar i Partisë Socialiste u shpreh sot se anëtarësimi i vendit në Bashkimin Europian do të thotë njohje e viteve të punës dhe njohje automatike e pensionit për çdo shqiptar që jeton e punon brenda BE-së.

Në një takim elektoral në qytetin e Kuçovës, kryeministri u ndal te vështirësitë e shqiptarëve jashtë për njohjen e viteve të punës, duke sjellë si shembull rastin e shqiptarëve në Greqi.

Kryeministri informoi se qeveria shqiptare ka nisur negociatat me qeverinë greke për njohjen e pensioneve, por ky sipas tij është një proces i gjatë dhe i vështirë.

“Për këtë duhet të merremi vesh me qeverinë greke siç u morëm vesh me qeverinë italiane, që mori aq shumë vite. Ne kemi filluar të negociojmë, është një marrëveshje shumë e vështirë sepse shqiptarët janë shumë, fatura financiare nuk është e vogël dhe shteti grek nuk është aq i fuqishëm sa shteti italian”, tha Rama.

Por, sipas tij, ka një rrugë tjetër që mund të jetë shumë më e shpejtë, ajo që shqiptarët të marrin pasaportën europiane të Shqipërisë.

“Në momentin që ti zotëron atë pasaportë, që shkruan BE – Republika e Shqipërisë, ty të njihet automatikisht çdo vit pune në Europë dhe je në gjendje të bësh menjëherë njohjen e pensionit. Me pasaportën europiane të Shqipërisë marrin fund të gjitha radhët e pritjes për dokumente në shtetin grek”, tha Rama.

Rama theksoi se më e mira që mund të bëjë sot çdo prind shqiptar është ta investojnë  votën që fëmijët e tyre të marrin pasaportën europiane të Shqipërisë.

Duke u ndalur tek ecuria e procesit të anëtarësimit në BE, kryeministri kujtoi se Mali i Zi i  ka hapur negociatat në vitin 2012, ndërsa Serbia i ka hapur negociatat kur ne akoma nuk ishim ende vend kandidat, dhe asnjëri prej këtyre vendeve nuk është sot në BE.

“Përgjigjja është shumë e thjeshtë: sepse ajo shtëpi e hap derën jo vetëm kur do ti apo je ti gati, por edhe kur ata janë gati të fusin brenda. Sot, ne që e kemi nisur nga fundi, e kemi lënë mbrapa Serbinë dhe jemi në pragun e derës, krah për krah me Malin e Zi”, tha Rama.

/r.e/a.f/

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›