Rama: PS histori mbi 10-vjeçare të mbrojtjes së mjedisit, ndaluam importin e mbetjeve

TIRANË, 8 qershor /ATSH/ Kryetari i Partisë Socialiste, njëherësh Kryeministër, Edi Rama, deklaroi sot në 35-vjetorin e Partisë Socialiste në Shkodër se PS është ajo që ka mbrojtur natyrën në Shqipëri duke vendosur moratorium kundër gjuetisë dhe prerjes së pyjeve.
Duke folur për protestën në Tiranë, Rama tha se në protestë ka edhe djem e vajza nga familje që votojnë PS-në.
“Po çfarë bëjnë akoma sot atje, nëse janë të tillë dhe nuk dyshoj që janë të tillë? Mbrojnë Shqipërinë nga PS, mbrojnë natyrën nga unë, nga ju, nga PS. Po ne kemi me vete një histori 10-vjeçare e pak më shumë të luftës për të mbrojtur natyrën nga ata që ishin rreziku më i madh i saj. Ne nuk jemi shkatërruesit, ne jemi shpëtimtarët.”
Sipas tij, mbrojtja e mjedisit dhe e natyrës është dëshmi e kësaj politike.
“Sepse duket një fjalë e madhe dhe e tepruar, por po të kishin gojë flamingot që këta po i dalin për zot, do të tregonin historinë e tyre të hidhur. Ata janë zogj shtegtarë, nuk kanë habitat të përhershëm në Shqipëri. Do të tregonin historinë e hidhur sesi më parë nuk vinin në Shqipëri pa u qëlluar me pushkë, me çifte nga ata që stërviteshin për të marrë shenjë dhe vrisnin zogj”, tha Rama.
Duke iu referuar mbrojtjes së faunës, Rama solli si shembull pelikanin kaçurrel në Parkun Kombëtar të Divjakë-Karavastasë.
“Sikur pelikani kaçurrel të ngrihej dhe të tregonte historinë e tij me Shqipërinë dhe me parkun kombëtar të Divjakës, atëherë do të tregonte se sot është një specie e mbrojtur që jeton dhe shtohet në Shqipëri. Ndërkohë, përpara ndalimit të gjuetisë dhe moratoriumit 10-vjeçar që kemi bërë, edhe pelikani kaçurrel ishte shënjestër”, tha Rama
Ai shtoi se gjendja e faunës sot është përmirësuar ndjeshëm.
“Sikur të shiheshin të gjitha numrat e popullsisë së shpendëve dhe kafshëve që ka sot Shqipëria krahasuar me kohën kur në çdo pyll dhe lagunë dëgjohej pushka, do të shihej shumë qartë se sot kemi një faunë të ripërtërirë”, tha ai.
Rama përmendi gjithashtu moratoriumin për ndalimin e prerjes së pyjeve, si dhe ndalimin e importit të mbetjeve.
“Kemi bërë 10 vjet moratorium për mosprerje pyjesh. Po për plehrat kush ishte që u mblodh në Parlament dhe shfuqizoi importin e tyre sapo mori mandatin nga populli? PS-ja.”
Rama u shpreh se akuzat për shkatërrim nuk qëndrojnë.
“Tani ne dalim shkatërrimtarët. Por për të na vënë këtë akuzë, duhet të na tregojnë çfarë kemi shkatërruar”, theksoi Kryeministri.
/gj.m/j.p/