Rama: Papunësia 8,8%, niveli më i ulët historik krahasuar me 2014-n

TIRANË, 27 prill/ATSH/ Kryeministri Edi Rama deklaroi sot se papunësia në Shqipëri është në nivelin më të ulët historik 8,8%, krahasuar me vitin 2014 kur ishte 17,5%.
Në fjalën e tij gjatë një bashkëbisedimi me pedagogë dhe studentë të Universitetit të Vlorës, Rama tha se “këtu dua ta bëj një shpjegim të shkurtër lidhur me një koment imediat që bëhet, se me demek papunësia ka rënë se ka rënë popullsia”.
“Popullsia, meqë ra fjala, nuk ka rënë me 1 milion, siç predikon propaganda negative ndaj Shqipërisë, dhe këtë e tregon shumë qartë edhe censi i bërë. Sot Shqipëria është 2,4 milionë, ndërkohë që në vitin 2012, kur është bërë censi i fundit, ka qenë 2,8 mln. Kjo lidhet me forcat e punës, pra është përqindje e pamundësisë bazuar në forcat e punës”, nënvizoi Rama.
Kryeministri Rama u shpreh se “nëse shohim raportet e forcave të punës me përqindjen, jemi sot në këtë nivel papunësie”.
Rama bëri të ditur se “synimi ynë është që në Shqipërinë 2030 nivelin e papunësisë ta kemi në mesataren e Bashkimit Europian, që është tek 6%”.
/k.s/r.e/