E Diel, 1 Nëntor 2026

Rama: Paraburgimi në Shqipëri alarm nga KiE, vendosen masa ekstreme sigurie pa argumente

TIRANË, 30 dhjetor /ATSH/ Kryeministri Edi Rama deklaroi sot se Shqipëria renditet si vendi me situatën më problematike në Këshillin e Europës për sa i përket paraburgimit, duke theksuar se numri i personave të paraburgosur është më i lartë se ai i të dënuarve me vendim gjykate.

Duke iu përgjigjur pyetjeve të gazetarëve në konferencën e fundvitit të mbajtur në Kryeministri, Rama tha se të dhënat janë alarmante dhe se vijnë nga vetë institucionet ndërkombëtare.

“Shqipëria është vendi më skandaloz i gjithë Komunitetit të Këshillit të Europës për nivelin e paraburgimit. Nuk e them unë këtë, e thonë shifrat që kanë alarmuar Komisionin për Parandalimin e Torturës të Këshillit të Europë,” u shpreh Rama.

Kreu i Ekzekutivit nënvizoi se “Këshilli i Europës ka bërë më pas një dokument të tërë për paraburgimin. Për çdo njeri që beson tek dinjiteti i tjetrit, ai dokument është alarm. Sepse në fund të ditës sensi i drejtësisë është që më mirë 100 fajtorë jashtë sesa një pafajshëm brenda. Ky është sensi i drejtësisë demokratike. Nuk është që kap e fut njerëz brenda dhe shohim nesër a jeni apo jo fajtorë”.

Sipas tij, aktualisht në burgjet shqiptare ndodhen 4.492 persona, ndërsa vetëm 1.895 prej tyre janë të dënuar, ç’ka do të thotë se shumica ndodhen në paraburgim, pa një vendim përfundimtar gjykate.

“Në Shqipëri probabiliteti që të përfundosh në burg si i dyshuar është më i lartë se sa të përfundosh si fajtor. Kjo është shifra dhe ky është fakti më rrëqethës”, theksoi Kryeministri.

Rama nënvizoi se kjo situatë bie ndesh me Kushtetutën dhe Konventën Europiane për të Drejtat e Njeriut, duke shtuar se shumë qytetarë përballen me një “kalvar” të gjatë paraburgimi dhe në fund shpallen të pafajshëm ose lirohen për shkak të skadimit të afateve ligjore.

“Në një vend që aspiron të bëhet pjesë e Bashkimit Europian, individi nuk mund të mos ketë të drejtën e një gjykimi të drejtë. Sensin e drejtësisë nuk e përmbush fakti që fut njerëz në burg dhe pastaj shikon nëse janë fajtorë apo jo”, u shpreh kreu i qeverisë.

Kryeministri iu referua edhe raportit të Këshillit të Europës mbi masat e sigurisë, duke theksuar se në Shqipëri ato vendosen shpesh pa arsyetim të mjaftueshëm.

“Vendosen masa ekstreme sigurie pa argumente konkrete. Përdoren formula standarde si ‘rrezik për prishje provash’ apo ‘rrezik për ikje’, pa prova reale. Kjo nuk është drejtësi”, tha Rama.

Ai u ndal edhe te çështja e veprës penale të “shpërdorimit të detyrës”, duke theksuar se kjo është përdorur gjerësisht dhe në mënyrë të paqartë, ndërsa Bashkimi Europian ka nisur rishikimin e këtij koncepti.

“Drejtësia është e pavarur nga ekzekutivi, por edhe ekzekutivi është i pavarur në vendimmarrje. Nuk mund të kriminalizohet një vendim administrativ vetëm pse dikujt nuk i pëlqen”, u shpreh Kryeministri.

Në fund, Rama deklaroi se nga 37 çështje të trajtuara nga institucionet e drejtësisë speciale, rreth 80% i përkasin mandateve të para dhe të dyta të qeverisjes së tij, ndërsa vetëm një pjesë e vogël lidhet me vitet e mëvonshme.

“Këto janë fakte, jo opinione. Dhe tregojnë se sa e pavërtetë dhe sa e dëmshme është narrativa se Shqipëria ka arritur kulmin e korrupsionit”, tha Rama.

/gj.m/j.p/

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›