SHBA: Tani të zbatohet plani "Ahtisari" për pavarësi
SHBA-ja deklaroi zyrtarisht se administrata e Bushit bëri përpjekjen maksimale për të siguruar një zgjidhje me kompromis të çështjes së Kosovës, por kjo nuk ishte e mundur, ndaj duhet lëvizur duke filluar zbatimin e planit "Ahtisari". Shtetet e Bashkuara të Amerikës, me një deklaratë të djeshme me rastin e përfundimit të mandatit të treshes negociatore të vendeve të Grupit të Kontaktit, shprehin keqardhjen për mossuksesin e tyre, ndërkohë që mbështesin sërish planin "Ahtisari" për një pavarësi të mbikëqyrur. Deklarata e dhënë nga drejtori i zyrës për marrëdhënie me shtypin në Departamentin e Shtetit, Gonzalo Gallegos, thekson se gjatë 130 ditëve të negociatave, Treshja nga BE, SHBA dhe Rusia ka shqyrtuar çdo opsion realist për një pajtueshmëri dhe, siç thanë me fjalët e tyre, "nuk
kanë lënë gur pa lëvizur" në kërkim të një zgjidhjeje të pranueshme për të dyja palët. Shtetet e Bashkuara shprehin keqardhje që udhëheqësit nga Kosova dhe Serbia nuk arritën marrëveshje mbi statusin e ardhshëm të Kosovës gjatë këtyre bisedimeve, thuhet në deklaratë. Deklarata më tej thekson se në fillim të periudhës intensive të negociatave, SHBA-ja ka thënë se nëse palët nuk do të arrinin një marrëveshje deri më 10 dhjetor, atëherë plani i propozuar nga i dërguari i posaçëm i Kombeve të Bashkuara, Marti Ahtisari, përfshi rekomandimet e tij për pavarësi të mbikëqyrur për Kosovën, si dhe pakoja e masave për mbrojtjen e pakicave, ishin rruga më e mirë përpara. "Ne vazhdojmë t‘i përmbahemi qëndrimit se jetësimi i planit Ahtisari do t‘i shërbejë stabilitetit në rajon dhe do t‘i mundësojë si Serbisë ashtu edhe Kosovës të ecin përpara në rrugën e integrimit euroatlantik", thuhet në deklaratë. Edhe njëherë deklarata thekson zotimin e Shteteve të Bashkuara, që gjatë javëve të ardhshme do të bashkëpunojnë nga afër me partnerët ndërkombëtarë për ta zgjidhur këtë çështje. "Populli i Kosovës dhe i rajonit ka nevojë urgjente për qartësimin e të ardhmes së tyre", thuhet në deklaratën e Departamentit të Shtetit. Ndërkaq, shefi i diplomacisë franceze, Bernard Kushner ka shprehur shpresën se do të ketë një "zgjidhje evropiane" për çështjen e Kosovës - me gjithë vështirësitë. "Është biseduar për vendime shumë të vështira, por mendoj se do të arrijmë një qëndrim të vërtetë evropian, nga i cili dobi të madhe do të kenë edhe serbët, edhe shqiptarët e Kosovës", tha Kushner.
"Nuk duhet t‘i harrojmë serbët, të cilët mbeten në Kosovë dhe duhet të shmangim maksimalisht problemet e mundshme, shpërnguljen masive dhe vështirësitë. Ky pra është një problem evropian dhe me të do të merremi brenda Evropës. Me siguri kjo nuk është lehtë", është shprehur Kushner.