Rama: Plan të rreptë masash për respektimin e ditëve të pushimit të punonjësve

TIRANË, 18 prill/ATSH/ Kryeministri Edi Rama deklaroi sot se qeveria shqiptare ka bërë një plan masash shumë të rreptë për respektimin e ditëve të pushimit të punonjësve.
Gjatë vizitës së tij në fabrikën e “DBS Group”, një nga katër kompanitë më të mëdha në Europë në tregun global të veshjeve sportive, me seli në Kashar (Tiranë), Rama “ky biznes është një realitet që kundërshton të gjithë ato zëra, të cilët në një moment të caktuar qoftë nga brenda industrisë me material porositësi, qoftë nga jashtë vunë kujën që forcimi i lekut ishte fundi i kësaj industrie, të gjithë do të dilnin të papunë etj.”.
“Ky realitet tregon që ajo çfarë kemi mbajtur qëndrim qysh në krye të herës është e vetmja rrugë: rritja e cilësisë, rritja e kapaciteteve konkurruese dhe harrimi i historisë së vjetër që krahu i lirë i punës është avantazh konkurrues në botën e sotme”, theksoi Rama.
Kryeministri Rama u shpreh se “që të kesh në këtë industri vajza të reja që punojnë një punë që është e automatizuar, është e pastër por nuk është e lehtë, do të thotë që t’u garantosh atyre të drejtat dhe njëkohësisht edhe një fitim të arsyeshëm. Nuk mundet dot që brezi i ri të ulet tek makina qepëse njësoj siç u ulën në fillim nënat e tyre, kur realisht luftohej për bukën e gojës”.
Duke vlerësuar suksesin e kësaj kompanie, Rama tha se “ajo ka bërë hapa të jashtëzakonshëm impresionues, por ka krijuar një shembull pozitiv domethënës për këdo që, në këtë industri ose edhe në tërësi në sipërmarrjen shqiptare, do të kuptojë se si mund të lidhen bashkë suksesi ekonomik, financiar me cilësinë e jetës së punonjësve”.
“Sipërmarrësit shqiptarë në shumë vite investuan shumë më tepër për godinat e për makinat sesa menduan për punëtorët. Sot ka një kthesë të rëndësishme edhe për faktin që e kanë kuptuar dhe po e kuptojnë dita-ditës edhe më shumë se nuk shkon dot më përpara me shfrytëzimin e krahut të punës, duhet krahun e punës jo ta shfrytëzosh, por ta motivosh, ta mirëmbash”, nënvizoi Rama, duke shtuar se në këtë aspekt është vërtetë impresionuese, mbresëlënëse ajo që ndodh në këtë biznes.
Kreu i qeverisë e vuri theksin edhe te respektimi i ditëve të pushimit të punonjësve.
“Është për t’u admiruar që kompania është provë e gjallë e faktit që respektimi i ditëve të pushimit për punonjësit është rentabilitet, rritje e cilësisë dhe efektivitetit në punë. Nuk mund ti mbash pa pushim dhe ne kemi bërë një plan masash shumë të rrepta për respektimin e ditëve të pushimit”, tha Rama.
Kryeministri Edi Rama në Kashar, në fabrikën e “DBS Group” 1 nga 5/k.s/r.e/a.f/