Zgjedhjet, KQZ: 176 879 zarfe të dërguara për votuesit jashtë vendit

TIRANË, 18 prill /ATSH/ Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka nisur shpërndarjen e fletëve të votimit për shqiptarët që jetojnë jashtë vendit, të cilët janë regjistruar për të marrë pjesë në zgjedhjet parlamentare të 11 majit. Sipas shifrave zyrtare të publikuar nga KQZ, deri sot ora (09:00) janë dorëzuar 176 879 zarfe, 18 515 janë marrë nga zgjedhësit, ndërsa 730 kanë mbërritur në KQZ.
Sipas KQZ, deri tani janë dërguar fletët e votimit për bashkatdhetarë nga 10 qarqe të vendit, për shtetasit shqiptarë që jetojnë në shtete të ndryshme të botës.
Numri më i madh i fletëve të votimit të shpërndara i përket qarkut të Tiranës me 50 608, Elbasani 25 022, Durrësit 24 872, Korçë 20 329 e më pas në qarqe të tjera.
Të ndara sipas shteteve, janë dërguar në Itali 64 189 zarfe, në Greqi 47 903, në Gjermani 19 360, në Shtetet e Bashkuara të Amerikës 15 460, në Mbretërinë e Bashkuar 13 224 etj.
Votuesit në diasporë kanë kohë ta plotësojnë dhe ta dërgojnë fletën e votimit me postë deri në javën e parë të muajit maj. Çdo votë që mbërrin në Shqipëri pas datës 11 maj, ora 19:00, do të konsiderohet e pavlefshme.
Vendi i caktuar për administrimin e këtij procesi është Pallati i Sportit “Feti Borova”, pranë Parkut Olimpik Tiranë. Aty po përgatiten dhe dërgohen fletët e votimit dhe po aty do të kryhet numërimi i votave të diasporës.
Fletët e votimit do t’u mbërrijnë bashkatdhetarëve tanë në Evropë nga data 15, deri më 22 prill dhe në kontinentet e tjera nga data 15, deri më 25 prill.
Pasi ta marrë zarfin me fletën e votimit, zgjedhësi nga jashtë këshillohet ta dërgojë atë në KQZ brenda 3 ditëve nga momenti i marrjes.
Ata nuk do të shpenzojnë asgjë, pasi posta paguhet nga KQZ.
/a.f/r.e/