E Martë, 3 Nëntor 2026

Rama: Prodhimi i brendshëm bruto, 35 miliardë euro në vitin 2030

TIRANË, 28 prill /ATSH/ Kryeministri, njëherësh kryetari i Partisë Socialiste Edi Rama zhvilloi sot një takim elektoral me socialistët në Petrelë, Tiranë.

Në fjalën e tij Rama dha edhe shifrat e ekonomisë shqiptare përkundër akuzave nga kampi i opozitës.

Sa i përket Prodhimit të Brendshëm Bruto, Rama tha se, “Shqipëria në vitin që ne kemi marrë detyrën prodhonte më pak se 10 miliardë euro në total vlerë. Në fund të vitit 2024, 25 miliardë euro vlerë. Pra është 2 herë e gjysmë. Dhe burimi është Fondi Monetar Ndërkombëtar”.

Sa i përket projeksionit me Ministrinë e Financave duke parë të gjithë trendin dhe komponentët e tjerë, Rama tha se, “në Shqipërinë 2030 PBB do të shkojë 35 miliardë euro”.

Sa i përket rritjes së PBB-së në rajon, Rama tregoi se nga viti 2013 deri në vitin 2024 mesatarja e rajonit ka qenë 64.9%, ndërsa mesatarja e rritjes së PBB-së së Shqipërisë ka qenë 109.6%.

“Shqipëria ka rritjen më të lartë të PBB-së në të gjithë Ballkanin Perëndimor”, theksoi Rama.

Sa i përket të ardhurave për frymë, Rama u shpreh se “në 2013-ën ishin 3330 euro. 10 300 euro janë në 2024-ën. 3 herë më shumë. Projeksioni i Shqipërisë 2030 është 15 mijë euro”.

Rama nënvizoi se, “kjo kurbë rritëse koinçidon edhe me atë që është projeksioni ynë për rritjen e pensionit minimal dhe për rritjen e pensionit mesatar”.

Duke folur për borxhin publik, i cili ka qenë 70.4% në 2013-ën, teksa në fund të 2024-ës ka rënë në 54.0 %, Rama tha se, “ky është borxhi zyrtar i ditës që ne morëm detyrën, por përtej këtij borxhi, kur ne morëm detyrën të tëra kompanitë kishin ndaluar punën, kompanitë që kishin lidhje me shtetin. Kompanitë që kishin kontrata investimi të rrugëve kryesisht, pore dhe të shkollave dhe investimeve të tjera kapitale dhe kompanitë që kishin kontrata shërbimi, për shembull kompanitë e furnizimit të spitaleve me ilaçe”.

Kjo theksoi Rama, “sepse nuk kishte para’ për ato punë që iu ishin dhënë dhe në total ky borxh ishte 700 e ca milionë euro, që po t’ia shtosh borxhit zyrtar është shumë më lart”.

“Ne na u desh ta rrisim prapë se erdhi pandemia, u detyruam të rrisim borxhin dhe me gjithë ato rritje kaq mirë ka performuar ekonomia sa jemi në 54%. Kemi ulur borxhin duke rritur pagat, kjo është shumë e rëndësishme”, tha Rama.

Kreditë e këqija në 2013-ën kanë qenë 24.8%, ndërsa në fund të 2024-ës kanë zbritur në 4.2%.

Rama u shpreh se, “kreditë e këqija janë kreditë që i mbeten bankave si kredi që nuk kthehen dot sepse kredimarrësit nuk janë në gjendje t’i kthejnë. Ky është tavani ku rrezikohet kolapsi i sistemit bankar. Kjo ishte situata në ditën që ne kemi marrë detyrën. Shikojeni ku janë kreditë e këqija sot”.

Sa i përket rritjes së çmimeve dhe inflacionit, Rama theksoi se “rritja e çmimeve është një fakt, nuk diskutohet, por ama po të shikoni në raport me rajonin, mesatarja e rritjes së çmimeve në rajon sot që flasim është 3.1%, në Shqipëri është 2.6%. Këto janë të dhëna të FMN-së dhe të World Economic Outlook Database”.

Duke folur për përqindjen e popullsisë në rrezik për varfëri që ka qenë 23.7% në 2017-ën dhe në fund të 2024-ës ka zbritur në 19.2%, Rama tha se “ne jemi në një grup ku ka vende të BE-së si Bullgaria, Portugalia, Lituania, Letonia, etj që janë në po atë fashë”.

Sa i përket pabarazisë në të ardhura, që ka qenë 7.5 në 2017-ën, ndërsa ka zbritur në 4.9 në 2024-ën, Rama tha se, “ky moment nga 2017-a në 2024-ën i korrespondon një momenti që praktikisht shënon kthesën përfundimtare ekonomike, jo në sensin që ekonomia shqiptare s’do ketë ndonjëherë kriza se çdo ekonomi ka krizat e veta, por në sensin që ekonomia jonë sot është ekonomia e një shteti që nuk është më një shtet në tentativë për t’u ndërtuar, por është një shtet që është në një fazë të avancuar të ndërtimit të vetë që lidhet dhe me arsye pse BE thotë deri në 202-ën ne duam të mbyllim marrëveshjen me ju”.

Sa i përket papunësisë që ka qenë në 17.5% në 2014-ën dhe ka zbritur në 8.8% në 2024-ën, Rama u shpreh se, “sot kemi nivelin më të ulët të papunësisë në të gjithë rrugëtimin e këtij vendi. Është hera e parë që Shqipëria në 2024-ën zbriti në një papunësi një shifrore nën 10%”.

Sa i përket të punësuarve, Rama u shpreh se, “kur ne morën detyrën ishin 1 023 000 të persona që figuronin në punë, sot janë 1 327 000”.

“Me aritmetikën e kënetës, se menduam që Luli ishte më e keqja në raport me aritmetikën, por tani ka dalë ky aritmetikani tjetër janë 300 mijë e pak më shumë apo nuk janë. Ja kjo është ajo që ne kemi thënë dhe kjo është ajo që ne kemi bërë”, theksoi Rama.

Sa i përket përqindjes së të punësuarve me pagën nën 40 mijë lekë në 2014-ën kanë qenë 59.9%, ndërsa në 2024-ën kanë zbritur në 14.4%.

Rama tha se, “kur ne morëm detyrën 60% e të punësuarve, e atyre 1 milion të punësuarve që nxorëm merrnin nën 40 mijë lekë sot janë vetëm 14 %. Të gjithë të tjerët marrin më shumë dhe këto janë shifra regjistrash, jo opinione politike”.

Për rritjen e pagave, Rama u shpreh se, “paga mesatare e përgjithshme ka qenë 322 euro në 2013-ën, e cila kryesiht ndikohej nga pagat në sektorin publik. 848 euro është mesatarja e fundit e pagave, ku rritja vazhdon për shkak se sektori privat vazhdon të rrisë pagat”.

Sa i përket pagës mesatare vetëm në sektorin publik, Rama tha se, “nga 372 euro në 2013-ën jemi në 1000 euro dhe projeksioni në 2030-ën është 1200 euro, i mesatares”.

Pensioni mesatar në 2013-ën ishte 111 euro, në 2024-ën është ngjitur në 300 euro, teksa projeksioni në 2023-ën është pensioni mesatar 400 euro, ndërsa pensioni minimal 200 euro./j.p/

1 nga 14

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›