Kontrolli për produktet energjetike, Beja: 58 subjekte të inspektuara, 112 masa administrative

TIRANË, 30 mars /ATSH/ Drejtori i përgjithshëm i Doganave, Besmir Beja u shpreh sot se doganat shqiptare do të kenë një transformim të plotë digjital institucional, të frymëzuar nga praktikat më të mira të vendeve të BE-së.
Në një konferencë me gazetarët, ku të pranishëm ishin edhe ministri i Financave, Petrit Malaj dhe drejtori i përgjithshëm i Tatimeve, Ilir Binaj, Beja tha se administrata doganore ka në fokus harmonizimin e praktikave doganore me standardet më të mira, duke lehtësuar tregtinë e ligjshme dhe duke rritur fokusin e analizës së riskut dhe kontrollit ndaj fenomeneve të paligjshme si kontrabanda apo trafiku, që cenojnë buxhetin e shtetit dhe ekonominë e vendit.
Sipas Bejës, instrumenti kryesor nëpërmjet të cilit synohet arritja e këtij qëllimi është analiza e riskut, duke përdorur inteligjencën artificiale.
“Doganat shqiptare do të marrin një transformim të plotë digjital institucional, të frymëzuar nga praktikat më të mira të vendeve të BE-së. Objektivi kryesor është kalimi nga kontrollet reaktive në një administratë doganore parashikuese, bazuar në të dhënat që mblidhen dhe analizohen. Shtyllë kryesore e kësaj qasjeje është inteligjenca artificiale, e cila ndihmon në analizimin e deklaratave doganore, sjelljeve tregtare dhe të dhënave të tjera logjistike, duke i mundësuar doganave të vlerësojnë më saktë riskun dhe detyrimet që duhet të paguajë çdo shoqëri tregtare në raport me administratën doganore”, tha ai.
Beja nënvizoi se këto sisteme kanë mundësi të mësojnë nga rezultatet e inspektimeve, duke rritur saktësinë, duke reduktuar kontrollet e panevojshme dhe duke forcuar luftën kundër kontrabandës dhe mashtrimit fiskal.
“Kjo qasje e rritjes së digjitalizimit të administratës doganore realizohet në bashkëpunim me AKSHI-n dhe partnerë të tjerë ndërkombëtarë. Ndërkohë është lidhur një marrëveshje me UNCTAD-in, në të cilën parashikohen elementë digjitalë, si edhe analizat e riskut”, tha Beja, ndërsa theksoi se njëherësh synohet përafrimi me administratat doganore të BE-së, me konceptin e smart customs dhe shkëmbimin e praktikave më të mira.
“Në këtë periudhë, në fokus kanë qenë kontrollet e përbashkëta me Administratën Tatimore për mbajtjen dhe përdorimin e produkteve energjetike. Nga data 11 deri më 28.03.2026 janë inspektuar 58 subjekte, ndaj të cilave janë vendosur 112 masa administrative. Këto subjekte janë inspektuar në disa qarqe si: në Tiranë janë kryer kontrolle ku janë konstatuar 22 shkelje, në Durrës janë kryer 8 kontrolle me 12 shkelje, në Fier 6 kontrolle me 9 shkelje, në Korçë 2 kontrolle me 6 shkelje”, tha Beja.
/e.i/a.f/r.e/