Rama: Qendra shëndetësore verore në Theth, në gatishmëri për pushuesit vendas dhe të huaj

TIRANË, 1 korrik/ATSH/ Turistët vendas e të huaj që vizitojnë Thethin kanë në gatishmëri qendrën shëndetësore verore ku mund të marrin shërbim në rast nevoje.
Kryeministri Edi Rama tha sot në një postim në rrjetet sociale se qendra shëndetësore verore në Theth ofron shërbim 24/7 për çdo rast urgjence shëndetësore.
“Në zemër të Thethit, aty ku natyra është magjike dhe ajri i pastër, ndodhet qendra shëndetësore verore, në gatishmëri çdo ditë për pushuesit vendas dhe të huaj”, theksoi Rama.
Kryeministri Rama bëri të ditur se qendra është e pajisur për të përballuar urgjencat dhe ofron shërbim falas 24/7 gjatë gjithë sezonit veror.
Infermierja e qendrës shëndetësore verore në Theth shprehet se “shërbimi është non stop 24 orë. Shërbimet që kryhen më së shumti janë, nga pickimet e gjarprit, pickimet nga insektet, matjet e tensionit”.
Gjatë gjithë sezonit veror, turistët e huaj, por edhe pushuesit vendas mund të marrin shërbim shëndetësor për çdo rast urgjence në 36 qendrat shëndetësore verore që janë në funksion të plotë 24 orë në ditë, në 7 ditë të javës.
Qendrat shëndetësore do të qëndrojnë të hapura deri në 30 shtator 2025, për një sezon turistik të sigurt dhe të shëndetshëm për të gjithë pushuesit vendas dhe ata të huaj.
/k.s/j.p/