Rama: Reforma në drejtësi nuk ka dështuar, edhe 100 herë të kthehesha pas do ta bëja sërish

TIRANË, 26 shkurt /ATSH/ Kryeministri Edi Rama deklaroi sot në mbledhjen e zgjeruar të grupit parlamentar të Partia Socialiste e Shqipërisë dhe të kabinetit qeveritar, të zhvilluar në Pallatin e Brigadave, se reforma në drejtësi nuk ka dështuar.
Rama tregoi se në një bisedë të disa ditëve më parë me disa deputetë të grupit, i ishte thënë troç se ai duhet të ndihej përgjegjës për reformën në drejtësi.
“Në një bisedë par ajo shumë ditësh me disa nga shokët e grupit, s’kishte asnjë shoqe çuditërisht mu tha troç se unë duhet të ndihem përgjegjës për reformën në drejtësi. Copë. Natyrisht jo vetëm unë, sepse ka edhe ndonjë tjetër këtu që duhet të ndihet përgjegjës. Por aty m’u tha mua, copë. Sepse jam unë fajtori kryesor që kjo reformë ka prodhuar këto efekte të dëmshme anësore”, u shpreh Rama.
Ai theksoi se e mirëkupton zhgënjimin e disa mbështetësve, por kundërshtoi fort cilësimin e reformës si dështim.
“Ta quash dështim reformën në drejtësi nga pozitat e grupit projektues dhe miratues të saj do të thotë të mos shohësh më larg se dita e sotme, të mos llogarisësh përtej kostove aktuale dhe të mos vlerësosh më shumë sesa komoditetin tënd”, deklaroi Kryeministri.
Rama u shpreh se, edhe pse është bërë “më pak rezistent ndaj mundësisë që ta ketë gabim”, nuk gjen asnjë arsye strategjike për të pranuar se reforma ka dështuar.
“Jam gjithnjë e më pak rezistent ndaj mundësisë që ta kem gabim. Por jam i interesuar të kuptoj kur kam gabuar. Nuk e gjej asnjë arsye strategjike për ta pranuar opinionin se reforma në drejtësi ka dështuar. Po e them prapë këtu: 100 herë të kthehesha mbrapsht, 100 herë do të zgjidhja reformën në drejtësi me të gjitha të mirat dhe të këqijat e ardhura prej saj, krahasimisht me alternativën”, tha ai.
Sipas Ramës, alternativa do të ishte “bataku i llahtarshëm, pa asnjë dritë të ardhmeje, pa asnjë shans për të marrë respektin e askujt”.
Kreu i qeverisë nënvizoi se detyra e mazhorancës është të qeverisë pa u ndikuar nga ekstremet e debatit publik mbi drejtësinë.
“Detyra jonë është të udhëheqim duke qeverisur sa më mirë çdo ditë, pa u ndikuar në këtë proces nga hyrje-daljet e drejtësisë në territorin që Kushtetuta na e ka njohur si hapësirë të pavarësisë sonë, si dhe duke reformuar dhe përmirësuar më tej kuadrin ligjor të Republikës së Shqipërisë”, u shpreh Rama.
Ai shtoi se konteksti i ri i negociatave për anëtarësim në Bashkimin Europian e detyron qeverinë të mbajë pesha gjithnjë e më të mëdha në përafrimin e legjislacionit me atë të BE-së dhe të përfitojë nga ekspertiza europiane, veçanërisht në fushën e shtetit të së drejtës.
Rama theksoi se reforma në drejtësi ishte e domosdoshme, pavarësisht kostove politike.
“Kush në radhët tona mendon sot se reforma në drejtësi ka dështuar sepse dje ka menduar që ajo do të zbatohej pa gjak, pa lot, pa djersë, në radhë të parë brenda familjes tonë politike, duhet ta gjej tek vetja fajin që ka qenë dritëshkurtër. Ndërsa kujt është duke menduar se unë po i them këto fjalë pa i besuar as vetë apo se kështu i do drutë mushka e Europës ju them kthehuni tek fjalët e mia shumë herë më parë për drejtësinë. Para miratimit gjatë miratimit dhe pas miratimit të reformës dhe pa filluar fare ky përshkallëzimi i pritshëm i viteve të fundit”, tha Rama.
“E kam thënë dhe herë të tjera unë që nga të gjitha reformat që bënë politika kjo e drejtësisë, kur është e vërtetë, është më e rënda sepse lidhet drejtpërdrejt me lëkurën e politikës”, theksoi Rama.
Prandaj, shtoi kreu i qeverisë, “nuk u bë kurrë një reformë e vërtetë në drejtësi dhe prandaj nuk pati kurrë drejtësi në Shqipëri dhe prandaj kurrë asnjëherë nuk e panë shqiptarët një njeri me pushtet të shkonte para drejtësisë qysh nga viti 1912 deri kur ne së bashku, unë me ju, vendosëm të bëjmë reformën e vërtetë duke i hyrë detit në këmbë dhe e bëmë. E bëmë sepse o e bënim ne këtu o se bënte dot askush tjetër. Njësoj si Shqipërinë 2030 në BE: ose e bëjmë ne, ose askush tjetër s’e bën dot”.
/gj.m/a.f/