Rama: Qeveria nuk i ka ushtruar presion drejtësisë, shqetësimet janë në interes të shtetit

TIRANË, 26 shkurt/ATSH-Maela Marini/ Kryeministri Edi Rama, njëherësh kryetar i Partisë Socialiste deklaroi sot se qeveria nuk i ka ushtruar presion drejtësisë, por ai ka shprehur gjithmonë shqetësimet e tij në interes të shtetit.
Në mbledhjen e grupit parlamentar të PS-së, Rama u shpreh se nuk ka ndërhyrë kurrë në çështje që i takojnë drejtësisë.
“Paguhen ‘sa frëngu pulën’ me taksat e shqiptarëve bashkë me 500 sekretarë dhe këshilltarët e tyre që të qeverisin sistemin e ri të drejtësisë, jo që të ankohen për ndërhyrje dhe presione inekzistente nga unë, që i kam dorëzuar shpatën e drejtësisë pavarur. Kur unë të hyj në meritën e ndonjë çështjeje, ndërsa ajo çështje është në gjykim, hajdeni”, u shpreh Rama.
Ndërkohë, Rama solli në vëmendje edhe kërkesën e shoqatës së gjyqtarëve për rritje pagash.
“Halli i vetëm është se po bëhen ca si shumë arsyet për të vënë duart në kokë. Kemi çarçafin që nxori ajo shoqata e gjykatësve, një fletërrufe e vërtetë, ndërkohë që unë vura alarmin si kryeministër i Shqipërisë për gropën që shoqata në fjalë donte të hapte në buxhetin e shtetit duke u rritur rrogat vetes me gjyq dhe padrejtësisht”, tha Rama.
Rama theksoi se “ne nuk jemi këtu për t’i vënë duart në kokë por për t’i hapur rrugën Shqipërisë në vitin 2030 në BE”.
“Jemi një shumicë parlamentare prej 83 deputetësh dhe këtë shumicë na e ka vënë në dispozicion që të përveshim mëngët dhe të mos ndalemi. Njerëzit e sistemit të drejtësisë duhet ta kryejnë punën e patrazuar, por edhe të përpiqen t’i marrin shqetësimet nga ana ime, si shqetësime në interes të shtetit”, shtoi ai.
Rama tha se rregulli i pashkruar në grupi parlamentar të PS-së është që askush nuk duhet të merret me gafat dhe lajthitjet e drejtësisë së re, sepse qëllimi ynë, nuk është të bëjmë presion, por të kërkojmë mirëkuptim për gjërat që nuk shkojnë.
“Kurrë askush nuk ka ngritur dhe nuk do të ngrejë në emër të kësaj shumice qeverisëse asnjë pretendim që pengon hetimet e çdo prokurorie. Edhe pse kjo alibia ka arritur në kulm të një absurditeti që do të ishte për të qeshur, por është për të qarë ku kërkesa për arrest pasohet me disa argumente që i thonë logjikës ‘mbylle gojën se të futa brenda. 40 kontrolle banesash janë bërë në ditën e vigjiljes së Vitit të Ri për një çështje të regjistruar para 5 vitesh, duke i trajtuar punonjësit e administratës si organizatë kriminale”, tha Rama.
Kryeministri theksoi se shteti ligjor nuk është shtet policor dhe rendi ligjor demokratik nuk është rend antinjerëzor”.
“Në shtyllat kryesore të negociatave me BE-në, krahas forcimit të drejtësisë është edhe forcimi i administratës publike. Nuk janë në dy barrikada përballë njëra-tjetrës. Por si mund të fuqizohet administrata publike nëse çdo punonjës i saj thirret në prokurori për të pranuar faje që nuk i ka bërë, me presion se duhet inkriminuar me patjetër. A thua se njerëzit janë statistika dhe lëkura e tyre asfalt”, shtoi Rama.
/a.f/