E Diel, 1 Nëntor 2026

Rama: Sfidë, investimet për infrastrukturën e shërbimeve në Kashar

TIRANË, 2 prill/ATSH-Maela Marini/ Kryeministri Edi Rama, njëherësh kryetar i Partisë Socialiste deklaroi sot se zhvillimi i zonës së Kasharit sjell domosdoshmërinë edhe për shtimin e infrastrukturës së shërbimeve.

Në një bashkëbisedim me qytetarët e njësisë 14 në kryeqytet, Rama u ndal te problematikat që janë krijuar në zonën e Kasharit.

“Patjetër që kemi plot gjëra që duhet të ndryshojnë. Në Kashar ka një problem shumë të madh që vjen në mënyrë paradoksale si rezultat i rritjes së mirëqenies. Çfarë dua të them me këtë? Rritet ekonomia, duke ndërtuar më shumë apartamente, blihen më shumë apartamente, mirëpo kjo rritje shkon në proporcion të zhdrejtë me infrastrukturën, me nevojat e tjera”, u shpreh Rama.

Kryeministri theksoi se edhe pse u bë një zgjidhje për një shkollë, sërish nevojat janë më të mëdha.

“Prapë unë nuk besoj që kemi zgjidhur ndonjë gjë të madhe sepse duhet dhe një tjetër, dhe një tjetër, dhe një tjetër. Flas për shkollën, po në qoftë se flasim për shërbimin parësor shëndetësor, prapë edhe ai është problem se janë gjitha këta njerëz. Të gjitha këto janë sfida”, u shpreh Rama.

/a.f/

Më shumë nga Sociale

Të gjitha ›