Rama: Të rinjtë që investojnë në Shqipëri po ndërtojnë histori frymëzuese suksesi

TIRANË, 7 qershor/ATSH/ Kryeministri Edi Rama mirëpriti në podkastin “Flasim” sipërmarrësit Sandër dhe Vjola Hoxha, themelues të kompanisë “Veza Savio”, si dhe Elisa dhe Sildi, krijues të kompanisë teknologjike “Devable”, duke i cilësuar si shembuj të shqiptarëve që kanë zgjedhur të investojnë, të punojnë dhe të ndërtojnë të ardhmen e tyre në Shqipëri.
Gjatë bisedës u trajtuan sfidat e sipërmarrjes, emigracioni, teknologjia, inteligjenca artificiale dhe rrugëtimi i tyre drejt krijimit të bizneseve të suksesshme.
Elisa dhe Sildi treguan se ideja për krijimin e “Devable” lindi nga një vizion i përbashkët për të ndihmuar bizneset dhe startup-et në zhvillimin e produkteve digjitale dhe implementimin e teknologjive të reja.
Ata shpjeguan se kompania operon në tre fusha kryesore, zhvillimin e faqeve të internetit, ndërtimin e sistemeve të informacionit dhe integrimin e inteligjencës artificiale në proceset e bizneseve.
Sipas tyre, puna nis me auditimin e nevojave të klientëve dhe identifikimin e proceseve që mund të automatizohen apo përmirësohen.
“Mund të përmend një bashkëpunim që kemi pasur me një konsorcium të madh në Shqipëri. Audituam problematikat që kishte dhe implementuam zgjidhje që proceset të bëheshin më të shpejta, me më pak ndërhyrje manuale dhe me më shumë eficiencë”, shpjeguan ata.
Themeluesit e “Devable” treguan se sipërmarrjet e tyre të para nisën me investime modeste.
Elisa tha se startup-i i saj i parë “Trip World” nisi me rreth 5 mijë euro investim, ndërsa Sildi tregoi se agjencia e tij e marketingut u krijua me një buxhet edhe më të vogël.
Aktualisht, “Devable” punon me klientë vendas dhe të huaj, duke ofruar zgjidhje teknologjike dhe sisteme të bazuara në inteligjencën artificiale.
Në të njëjtën bisedë, Sandër dhe Vjola Hoxha rrëfyen historinë e krijimit të “Vezës Savio”, një sipërmarrje që lindi pas një dështimi të parë dhe pas vendimit për të mos emigruar.
Ata treguan se në vitin 2017 nisën një fermë të vogël, e cila rezultoi e pasuksesshme dhe u shkaktoi humbje të konsiderueshme financiare.
“Në vitin 2018 ishim në një periudhë kur mendonim të emigronim në Francë. Kishim vendosur që fëmija ynë të lindte në Shqipëri dhe të rigjenim energjinë për të rifilluar nga e para”, tregoi Vjola Hoxha.
Sandër Hoxha tha se humbjet nga sipërmarrja e parë arritën në rreth 2,4 milionë lekë.
“Ne humbëm gjithçka që kishim. Ishte një periudhë shumë e vështirë. Por vendosëm të ringriheshim. Gjetëm një objekt me qira në Kavajë dhe vendosëm të vazhdonim”, tha ai.
Sipas tij, sipërmarrja e re u financua përmes mbështetjes së familjarëve dhe njerëzve të afërt, ndërsa investimi fillestar për ringritjen e biznesit ishte sërish rreth 2,4 milionë lekë.
Nga një fermë e vogël, “Veza Savio” është shndërruar sot në një nga prodhuesit e rëndësishëm të vezëve në vend.
Sandër Hoxha bëri të ditur se kompania ka investuar mbi 2,3 milionë euro në ndërtimin e një ferme moderne me standarde europiane.
“Ne kemi përfunduar një pulari me standard 100% europian. Është një investim mbi 2,3 milionë euro dhe besoj se është një krenari jo vetëm për Shqipërinë, por edhe për rajonin”, tha ai.
Ai shtoi se ferma operon me sistemin “free range”, ku pulat nuk mbahen në kafaze tradicionale, por në ambiente më të lira dhe sipas standardeve moderne të mirëqenies së kafshëve.
Aktualisht kompania prodhon rreth 30 mijë vezë në ditë dhe furnizon rrjetet kryesore tregtare në vend.
Gjatë bisedës, Rama vlerësoi historitë e sipërmarrësve të rinj si dëshmi se puna, këmbëngulja dhe besimi te Shqipëria mund të kthehen në histori suksesi.
“Këta ishin shqiptarë të talentuar, vetëmohues, pasionantë dhe shumë të përkushtuar për t’i çuar përpara ëndrrat e tyre, me punë dhe me inteligjencë artificiale”, tha Rama. /j.p/
1 nga 2