Rama: Thethi pas operacionit nga kanceri i paligjshmërisë

TIRANË, 22 korrik/ATSH/ Pas aksionit për prishjen e ndërtimeve pa leje në Theth, vijoi me përparësi pastrimi i territorit nga inertet, me synim rikthimin e hapësirave në gjendjen e mëparshme dhe ruajtjen e imazhit karakteristik të Thethit, qendër e Parkut Kombëtar të Alpeve.
Kryeministri Edi Rama ndau sot pamje nga Thethi pas “operacionit nga kanceri i paligjshmërisë”.
IKMT prishi mbi 100 struktura pa leje të ndërtuara nga 40 subjekte në Theth.
Pas aksionit të Inspektoratit Kombëtar të Mbrojtjes së Territorit për shembjen e ndërtimeve pa leje në këtë zonë, strukturat e bashkisë Shkodër, të ndihmuara edhe nga forcat e xhenjos, nisën pastrimin e inerteve.
I ndodhur 70 km larg Shkodrës, Thethi është një nga destinacionet më të preferuar të turistëve në të gjitha stinët, por veçanërisht gjatë sezonit të verës.
Pasuritë natyrore të kësaj zone janë të lidhura së bashku edhe me trashëgiminë kulturore dhe historike të banorëve vendas, duke formuar kështu, bazat më të rëndësishme për zhvillimin e turizmit.
/m.m/r.e/