E Diel, 1 Nëntor 2026

Rama: Transporti i nxënësve dhe mësuesve me mjete të prodhuara në Shqipëri

TIRANË, 30 dhjetor /ATSH/ Kryeministri Edi Rama deklaroi se gjatë këtij viti janë shënuar hapa pozitivë në sektorin e arsimit, veçanërisht në drejtim të fuqizimit të teknologjisë në dispozicion të nxënësve.

Në konferencën e fundvitit për mediet, Rama bëri të ditur se numri i shkollave të pajisura me laboratorë inteligjentë ka arritur në 350, ndërsa objektivi i qeverisë është që deri në vitin 2027 ky numër të shkojë në 1 mijë.

Sipas Kryeministrit, ky investim do të krijojë një bazë të rëndësishme dhe domethënëse për përfshirjen e fëmijëve në mësimdhënie të orientuar drejt teknologjisë dhe shkencës.

Rama theksoi se paralelisht vijon ndërtimi dhe përmirësimi i infrastrukturës arsimore në të gjithë vendin. Ai njoftoi gjithashtu nisjen e projektit për transportin shkollor me mjete të prodhuara në vend, të cilat pritet të hyjnë në përdorim në vitin 2026.

“Ky projekt do të shtrihet në të gjithë territorin për të garantuar transportin e mësuesve dhe nxënësve, një shërbim që deri më tani është siguruar përmes financimit nga buxheti i shtetit për rreth 38 mijë nxënës dhe 12 mijë mësues, në bazë të distancave të përshkuara”, u shpreh kryeministri.

Ai bëri të ditur se vijon programi kombëtar për zhvillimin profesional të mësuesve, psikologëve dhe oficerëve të sigurisë në shkolla, ndërsa është nënshkruar edhe marrëveshja për projektin “Smart City”, që synon rritjen e sigurisë në institucionet arsimore.

Sipas Ramës, projekti i liceut franko-shqiptar të shkencave të inovacionit në Korçë ka avancuar pozitivisht, me përgatitjen e kurrikulës, projektligjit të posaçëm dhe me nisjen e zbatimit të projektit të ndërtesës në vitin 2026.

Kryeministri theksoi se është dyfishuar numri i oficerëve të sigurisë në shkolla, ndërsa është ulur raporti i nxënësve për psikolog, i cili ka arritur në 839 nxënës për psikolog. Ai shtoi se është ndërtuar një platformë digjitale informimi në kohë reale, që siguron komunikim të drejtpërdrejtë mes mësuesve, nxënësve dhe prindërve.

Rama nënvizoi se po avancon puna për Kodin e Etikës së Mësuesit dhe se në vitin 2026 do të nisë zbatimi i kurrikulave të reja për klasat 1–6 dhe klasën e 10-të, të bazuara në një qasje të re ndaj teknologjisë dhe shkencës.

Në arsimin e lartë, kryeministri tha se janë realizuar investime dhe projekte rindërtimi në Fakultetin e Inxhinierisë së Ndërtimit, Fakultetin e Minierave dhe Gjeologjisë, Universitetin “Aleksandër Moisiu” në Durrës dhe Fakultetin e Shkencave Mjekësore në Elbasan.

Ai bëri të ditur se 40 studio arkitekturore do të marrin pjesë në konkursin e projektit për kampusin e ri të Universitetit “Aleksandër Moisiu” në Durrës.

Rama shtoi se procesi i ndërkombëtarizimit të arsimit të lartë po thellohet përmes diplomave të përbashkëta bachelor dhe master, në bashkëpunim me universitete teknike të Francës, Austrisë dhe vendeve të tjera, me synimin për të kthyer universitetet shqiptare në qendra rajonale të barasvlefshme akademike.

Sipas tij, aktualisht janë 251 projekte aktive që lidhen me ndërkombëtarizimin dhe energjizimin e universiteteve, ku numrin më të madh të projekteve e ka siguruar Universiteti i Tiranës, ndërsa po zhvillohen edhe projekte të reja për digjitalizimin e arsimit të lartë.

/e.xh/j.p/r.e/

Më shumë nga Sociale

Të gjitha ›