Shoqata “Profesionistët e Lirë për Shqipërinë” i akordon Prodës titullin “Anëtar Nderi”

TIRANË, 30 dhjetor /ATSH/ Shoqata “Profesionistët e Lirë për Shqipërinë” i akordoi titullin “Anëtar Nderi”, drejtorit të përgjithshëm të Policisë së Shtetit, Ilir Proda.
Nëpërmjet titullit të akorduar Prodës, shoqata vlerësoi punën e Policisë së Shtetit, si dhe përkushtimin dhe profesionalizmin e saj.
Një vlerësim i tillë, praktikë e ProAlbNGO, më herët, iu është akorduar për kontribut, eurodeputetëve, senatit italian, rajonit të Lazios, etj.
Kryetari i Shoqatës, Fatjon Softa, vlerësoi Prodën për mbështetjen e dhënë për emisionin “Alo Policia – Siguria në Fokus”, si hapësirë komunikimi që lidh qytetarët, me shërbimet e Policisë, si dhe për bashkëpunimin në kuadër të institucioneve të sigurisë publike, si dritare komunikimi që sjell pranë qytetarëve, shërbimet, përkushtimin dhe sakrificat e të gjithë punonjësve të Policisë së Shtetit.
Proda në fjalën e tij vlerësoi rëndësinë e medias, si urë lidhëse mes Policisë dhe qytetarëve, si dhe rolin e emisionit “Alo Policia”, për pasqyrimin e punës dhe sakrificës së qindra-mijëra djemve dhe vajzave, grave dhe burrave, që shërbejnë çdo ditë për garantimin e rendit dhe sigurisë, si dhe për parandalimin dhe luftimin e paligjshmërive.
Të pranishëm gjatë takimit ishin edhe Igli Zepishta dhe Blerta Lata, drejtues të shoqatës, të cilët shprehën vlerësim për reagimin dhe profesionalizmin e Policisë në ndihmë të qytetarëve.
1 nga 3/m.q/a.f/r.e/