E Diel, 1 Nëntor 2026

IGJEO: Situata problematike nga reshjet deri të enjten

TIRANË, 6 janar /ATSH/ Instituti i Gjeoshkencave bëri të ditur sot se reshje intensive shiu pritet të përfshijnë vendin gjatë pasdites së sotme dhe ditës së nesërme, duke rritur ndjeshëm rrezikun për përmbytje, kryesisht në veri dhe jug.

Në qarqet Shkodër, Kukës, Dibër, Lezhë, Durrës, Elbasan, Vlorë dhe Gjirokastër parashikohen vërshime të shpejta të lumenjve të vegjël malorë, si dhe rrëshqitje dherash.

Në zonat urbane mund të shfaqen përmbytje të lokalizuara, në varësi të gjendjes së sistemeve të kanalizimeve.

Sipas llogaritjeve hidrologjike të Institutit të Gjeoshkencave (IGJEO), reshjet me intensitet të lartë të rëna ditët e fundit, të cilat pritet të vazhdojnë deri ditën e enjte, datë 08 janar, do të sjellin rritje të rrezikshme të prurjeve dhe niveleve ujore në lumenjtë Drin-Buna, Mat, Shkumbin dhe Vjosë, si dhe në liqenin e Shkodrës.

Lumenjtë Drin e Buna dhe liqeni i Shkodrës paraqesin rrezik të shtuar për përmbytje gjatë ditës së sotme dhe të nesërme.

Parashikimi meteorologjik tregon se në qarqet Vlorë dhe Gjirokastër priten reshje intensive deri lokalisht shumë intensive, ndërsa në Shkodër dhe Lezhë reshjet do të jenë intensive.

Në qarqet e tjera të vendit reshjet do të jenë mesatare deri lokalisht intensive dhe do të shoqërohen me shtrëngata.

Në zonat veriore, lindore dhe juglindore, në lartësitë mbi 1000 metra mbi nivelin e detit, reshjet do të jenë në formë dëbore.

Për ditën e mërkurë, temperaturat e ajrit pritet të variojnë nga 9 deri në 16 gradë Celsius në bregdet dhe zonat e ulëta, ndërsa në zonat malore nga 3 deri në 12 gradë Celsius. Era do të fryjë mesatare deri e fortë në zonat bregdetare gjatë pasdites së sotme dhe ditës së nesërme.

Autoritetet u bëjnë thirrje qytetarëve të tregojnë kujdes të shtuar dhe të ndjekin njoftimet zyrtare, ndërsa strukturat vendore janë në gatishmëri për përballimin e situatës së krijuar nga moti i keq.

1 nga 3

/gj.m/r.e/a.f/

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›