E Diel, 1 Nëntor 2026

Zgjedhjet në Kosovë, me 95.6 për qind të vendvotimeve të procesuara LVV prin me rreth 43.47%

PRISHTINË, 7 qershor/ATSH/ Me numërimin e mbi 95% të votave, Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka bërë të ditur se Lëvizja Vetëvendosje prin me 43.47%, Partia Demokratike e Kosovës me 21.40%, Lidhja Demokratike e Kosovës me 17.88% dhe Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës me 7.19%.

Këto rezultate e nxjerrin Vetëvendosjen dukshëm më poshtë se në zgjedhjet e 28 dhjetorit, kur kishte marrë mbi 51% të votave. Në ato zgjedhje, PDK kishte fituar 20.2%, LDK 13.2% dhe AAK 5.5%.

Votat e numëruara deri tani nuk përfshijnë ato të diasporës.

Pjesëmarrja në zgjedhje ka qenë rreth 35%, dukshëm më e ulët se në zgjedhjet e dhjetorit të vitit të kaluar, kur votuan rreth 45% e trupës zgjedhore.

Rreth 2 milionë qytetarë të Kosovës kishin të drejtë vote në zgjedhjet e parakohshme parlamentare të 7 qershorit, të cilat u organizuan pas dështimit të Kuvendit për zgjedhjen e presidentit.

Policia e Kosovës ka njoftuar se procesi zgjedhor është zhvilluar qetë dhe pa incidente që do të ndikonin në mbarëvajtjen e tij.

vijon

Më shumë nga Kosova

Të gjitha ›