E Diel, 1 Nëntor 2026

Përfundon votimi në zgjedhjet e parakohshme në Kosovë, 200 mijë më pak votues se në zgjedhjet e kaluara

PRISHTINË, 7 qershor/ATSH/ Zgjedhjet e parakohshme parlamentare u mbyllën në Kosovë në orën 19:00 ndërsa qytetarët që u ndodhen brenda qendrave, patën të drejtë të përfundojnë procesin e votimit.

Deri në orën 17:00, mbi 560 mijë veta ushtruan të drejtën e tyre – rreth 200 mijë më pak krahasuar me zgjedhjet e 28 dhjetorit, sipas të dhënave të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve.

Exit poll-et e publikuara nga disa televizione në Kosovë e nxjerrin Lëvizjen Vetëvendosje (LVV) në vend të parë, me rreth 42 për qind të votave – dukshëm më pak krahasuar me mbi 51 për qind që fitoi në zgjedhjet e 28 dhjetorit.

Exit poll-et janë sondazhe që realizohen menjëherë pas votimit, zakonisht pranë qendrave të votimit, dhe japin një pasqyrë të hershme të rezultatit.

Sipas të dhënave të publikuara nga Klan Kosova, pas LVV-së renditen: Partia Demokratike e Kosovës me rreth 21 për qind, Lidhja Demokratike e Kosovës me rreth 17 për qind dhe Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës me rreth 6 për qind.

Kryetari i Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti, njëherësh kryeministër në detyrë, tha se vullneti i qytetarëve i shprehur në zgjedhjet e sotme, “është brenda kutive të votimit”, duke theksuar se mbrojtja e tij është thelbësore për legjitimitetin dhe kredibilitetin e procesit zgjedhor.

Përmes një postimi në Facevook, Kurti u bëri thirrje komisionerëve dhe vëzhguesve që të ushtrojnë me përgjegjësi detyrën e tyre gjatë procesit të numërimit të votave.

“Mbi juve peshon një përgjegjësi e lartë institucionale dhe fisnike”, shkroi Kurti. /rel/

Më shumë nga Kosova

Të gjitha ›