E Hënë, 2 Nëntor 2026

Rama në Vjenë fton investitorët e huaj: Blini prona në Shqipëri, çmimet do rriten pas hyrjes në BE

TIRANË, 23 shtator /ATSH/ Kryeministri Edi Rama ftoi sipërmarrësit e huaj të investojnë në pasuritë e paluajtshme në Shqipëri, duke e cilësuar këtë si një zgjedhje strategjike për diversifikimin e fitimeve dhe një mundësi reale për rritje të kapitalit, veçanërisht në prag të anëtarësimit të vendit në Bashkimin Evropian.

Duke marrë falën në konferencën ndërkombëtare “Shqipëria, Horizonti i Ri”, që po zhvillon punimet në Vjenë, me pjesëmarrjen e sipërmarrësve nga mbi 25 vende të botës, Rama u ndal tek përparësitë që ofron vendi.

“Sektori i turizmit po zgjerohet dhe po përjeton sezone të suksesshme. Gjatë muajve maj, qershor, korrik, gusht e shtator ka pasur rritje të ndjeshme të vizitorëve. Por sfida mbetet për më shumë në këtë drejtim dhe vetë investuesit mund të bëjnë edhe më shumë në këtë fushë, sidomos sipërmarrësit që vijnë nga Gjermania, Austria”, u shpreh Rama.

Në këtë kontekst, vijoi kryeministri, shfrytëzimi i turizmit është një mundësi për të investuar në sektorin e pasurive të paluajtshme.

Rama i inkurajoi investitorët, sidomos ata nga Europa Qendrore, të shfrytëzojnë potencialin e tregut shqiptar, duke theksuar se çmimet aktuale të pronave në Shqipëri janë ende të përballueshme, por pritet të rriten ndjeshëm pas anëtarësimit të vendit në BE.

“Ata që kanë likuiditete, sidomos këtu në Austri, duhet të konsiderojnë blerjen e një prone në Shqipëri – një apartament në Tiranë apo në qytete të tjera. Kjo do të jetë një investim me kthim të lartë, sepse vlera e pronës do të rritet shumë kur Shqipëria t’i bashkohet BE-së ashtu siç ka ndodhur në të gjitha vendet që janë bërë anëtare” deklaroi Rama.

Ai shtoi se investimi në prona nuk ka vetëm qëllime financiare, por mund të shërbejë edhe për jetesë sezonale, sidomos për qytetarët në pension që kërkojnë një vend me klimë të ngrohtë dhe kosto të përballueshme jetese.

“Ejani në Shqipëri dhe blini prona. Në Tiranë, në Shkodër pse jo, sepse kemi lidhjen që ka ekzistuar me Perandorinë Austro-Hungareze”, përfundoi Kryeministri. /j.p/

Më shumë nga Ekonomia

Të gjitha ›