Rama në bashkinë e Durrësit, dëgjesë me banorët që preken nga projekti TID

TIRANË, 14 shkurt /ATSh/ Kryeministri Edi Rama ishte sot në bashkinë e Durrësit, nga ku u takua me banorët që preken në kuadër të projektit për Transformimin e Integruar të Durrësit (TID), pas protestave të tyre për mbrojtjen e pronës. Mediet raportojnë se kreu i qeverisë mbërriti në bashkinë e qytetit në orët e para të ditës, i pritur nga kryetarja Emirjana Sako.
Nga projekti preken 74 familje dhe prej disa muajsh banorët protestojnë duke kërkuar pezullimin e projektit dhe rivlerësim të pronës në çmimin real të tregut të pasurive të paluajtshme në qendrën e Durrësit ku ata banojnë dhe ushtrojnë aktivitet.
Projekti i rijetëzimit të bulevardit historik “Epidamn”, i njohur si TID Durrës, parashikon shpronësimin e 74 familjeve durrsake, për të cilin qeveria ka akorduar një fond prej 315.5 milionë lekësh.
Projekti për Transformimin e Integruar të Durrësit synon rigjenerimin urban të zonave të dëmtuara nga tërmeti i vitit 2019 dhe zhvillimin e infrastrukturës moderne, por procesi i zbatimit ka hasur në kundërshti dhe shqetësime nga komuniteti lokal.
/m.q/j.p/