E Diel, 1 Nëntor 2026

Rama nga Gjermania: BE-së i duhet Ballkani Perëndimor, pasuritë tona lakmohen nga Rusia e Kina

Kryeministri Edi Rama  merr pjesë në Konferencën Vjetore të Komisionit të Bllokut Lindor, një nga platformat më të rëndësishme të dialogut ekonomik dhe politik mes Gjermanisë dhe vendeve të Europës Lindore.

Në fjalën e tij, Rama tha se Europës i duhet Ballkani Perëndimor.

“Europës i duhet rajoni ynë. Kjo sepse ne jemi një rajon, që kemi pasuritë tona natyrore. Këto pasuri janë të lakmuara nga Rusia dhe nga Kina. Mirëpo ne i përkasim kontinentit europian dhe duhet të zhvillohemi bashkë me pjesën tjetër të Europës. Ne jemi duke ecur shpejt drejt integrimit në  BE. Ne duam që të bëhemi pjesë e BE-së përpara se të mbarojë kjo dekadë. Ne po bëjmë transformimin më të madh në historinë tonë”, tha ndër të tjera Rama.

Rama tha se zgjerimi i BE-së nuk duhet të mbetet peng i pritjeve të pafundme, por të shoqërohet me pjesëmarrje konkrete që u jep vendeve kandidate mundësinë të dëshmojnë potencialet e tyre.

“Integrimi ne BE nuk mund të bëhet një shtyrje pa fund. Zgjidhja nuk është e komplikuar. Na jepni pjesëmarrjen, që hap pas hapi të dëshmojmë potencialet tona. Me hapa të ngadaltë, ne do të bëjmë çdo gjë që kërkon familja e madhe europiane. Shqipëria është duke punuar shumë në drejtim të digjitalizimit të shërbimeve ndaj qytetarëve. Teknologjia në shërbime është rruga nga periferia drejt qendrës. Ballkani Perëndimor në BE do i japë Europës më tepër potencial. Me ne, më e fortë do jetë vetë BE-ja”, tha Rama.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›