E Diel, 1 Nëntor 2026

Rama nga Nju-Jorku: SHBA nuk bëri më të mirën për Hashim Thaçin

TIRANË, 25 shtator/ATSH-Maela Marini/ Kryeministri Edi Rama deklaroi sot nga Nju-Jorku se ish-presidenti i SHBA-së Joe Biden e ka tradhtuar Hashim Thaçin dhe SHBA nuk bëri më të mirën për të.

Në fjalën e mbajtur në mbrëmjen gala të organizuar nga Këshilli për Marrëdhëniet Shqiptaro-Amerikane në Nju-Jork, Rama u ndal te procesi gjyqësor që u zhvillua në Hagë.

“Sot e vuaj mungesën e dikujt që ka qenë gjithmonë i ftuar. Ai është Hashim Thaçi. Ai nuk është me ne sot këtu dhe ai nuk mund të jetë sot me këtu, sepse ky vend e tradhtoi. Sepse Joe Bideni që e emërtoi “George Washingtonin e Kosovës”, e tradhtoi. Sepse edhe pse gjenerali Clark e disa miq të shkëlqyer amerikanë bën më të mirën, ky vend nuk bëri më të mirën për Hashim Thaçin, George Washingtonin e Kosovës”, u shpreh Rama.

Kryeministri theksoi se kjo nuk e bën të ndihet mirë.

“Askush nuk duhet të më keqkuptojë, sepse kur them ‘tradhtuar’ e kam fjalën se ne jemi të gjithë shumë të vegjël, edhe së bashku nuk jemi të mëdhenj, por ne kemi kremtuar e do të kremtojmë gjithmonë faktin që si shqiptarë, jemi miq me më të mëdhenjtë e më të fortët, Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Ndaj ndihem i tradhtuar, sepse jam i sigurt që ky vend mund të kishte bërë më shumë. E së pari, e mbi të gjitha, duke mos lejuar që kjo farsë të niste”, u shpreh Rama.

/r.e/a.f/

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›