E Diel, 1 Nëntor 2026

Berisha: Ripërtëritja e PD-së është jetike për vendin

TIRANË, 25 shtator/ATSH/ Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha deklaroi sot se ripërtëritja e PD-së është jetike për vendin.

Në fjalën e mbajtur në kuadër të “Foltores së Ripërtëritjes” në Elbasan, Berisha u ndal te situata ekonomike ku ndodhet vendi, që sipas tij, kërkon ndërhyrje të menjëhershme.

“Sot, jo vetëm ilaçet, por mbi 600 mijë pensionistë janë me pensione të pjesshme. Nuk marrin dot as dy javë ushqime. Qiratë kanë kapur nivelin e rrogës mesatare. Pra, janë bërë mollë e ndaluar apartamentet për qytetarët. Të gjithë këta faktorë shtyjnë qytetarët tanë të ikin”, tha Berisha.

Kreu i PD-së theksoi se qytetarët me rrogat dhe pensionet më të ulëta kanë sot naftën më të shtrenjtë në Europë.

Po ashtu, sipas tij, “çmimi i ushqimeve është rritur me 3,2% në Shqipëri, ndërsa në Europë me 0,2%”.

Ndërkohë, Berisha tha se potencialet e vendit janë të gjithanshme. “Nuk ka tokë dhe vend më të begatë se Shqipëria në çdo aspekt. Por të gjitha këto janë shndërruar në një mënyrë apo në një tjetër, në mallkim për qytetarin shqiptar. Mund të listojmë një listë të pafundme të problemeve të jashtëzakonshme të rënda që përballet qytetari, për shëndetin e tij, për shkollimin e fëmijëve”, shtoi ai.

Në këtë drejtim, Berisha u shpreh se sirenat e nevojës për rithemelimin e Shqipërisë bien në të katër anët e vendit.

Ndaj dhe ripërtëritja e Partisë Demokratike, sipas tij, “është jetike dhe përcaktuese për ripërtëritjen e Shqipërisë”.

Berisha vlerësoi qëndresën e demokratëve, ndërsa u shpreh se “Shqipëria pret me padurim fitoren e opozitës dhe kjo është përgjegjësi e madhe ndaj vendit dhe një motiv i jashtëzakonshëm”.

“Ne jemi një forcë politike e cila në kushtet aktuale duhet të jetë e hapur ndaj çdo vlere të këtij qyteti dhe të këtij vendi. Jemi një forcë politike e cila sot strukturat e saj duhet t’i ketë më funksionale se kurrë, më moderne se kurrë. Anëtarët dhe mbështetësit e saj sot më shumë se kurrë duhet të vendosin një dialog intensiv me çdo qytetar të Elbasanit dhe të Shqipërisë”, theksoi Berisha.

Berisha theksoi se në 10 vite në hapësirën Shengen kanë emigruar 1,1 milionë shqiptarë.

/a.f/r.e/

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›