Rama nga Tivati: Integrim gradual në BE për vendet e Ballkanit Perëndimor, kërkohet moment i llojit Helmut Kohl

TIRANË, 5 qershor/ATSH-Maela Marini/ Kryeministri Edi Rama deklaroi sot se Europa duhet ruajë procesin e integrimit të bazuar në meritë dhe të shkojë në drejtim të integrimit gradual të vendeve të Ballkanit Perëndimor.
Në një prononcim për mediet ndërkombëtare gjatë mbërritjes në samitin BE–Ballkani Perëndimor në Tivat (Mali i Zi), Rama iu përgjigj pyetjes së gazetarëve nëse e mbështet integrimin gradual në BE.
“Kam kohë që e them këtë, më në fund po dëgjohet, por nuk mjafton. Tani besoj që Europa mbi të gjitha për vetveten duhet të jetë më e guximshme, duhet të ruajë procesin bazuar në meritë, duhet të shkojë në drejtimin e integrimit gradual, por duhet të gjejë këllqet për një moment të ri të llojit Helmut Kohl”, tha Rama.
Kryeministri solli në vëmendje politikën që ndoqi Kancelari gjerman kur ra Muri i Berlinit.
“Kur muri ra, ky njeri i madh nuk iu tha gjermanolindorëve: tani keni 35 kapituj për t’i përfunduar përpara sesa të bëhemi bashkë. Jo, ai tha: ‘Ne jemi bashkë dhe pastaj do t’ju ndihmojmë që ju të përmbushni detyrat’. Pra, në qoftë se BE-ja kërkon t’i përçojë botës një mesazh shumë të fortë e t’i japë vetes energji të mëdha, duhet të thotë që kështu siç jemi sot rreth tryezës, duhet të jemi gjithmonë rreth kësaj tryeze, por gjithsecili me statusin e vet, derisa të bëheni anëtarë me të drejta të plota”, tha Rama.
Kryeministri theksoi se “ajo që duhet të bëjmë nga ana jonë është t’u japim ca kurajo që të shtyjnë më fort përpara dhe iu takon atyre pastaj”.
Ndërkohë Rama u ndal edhe te propozimi franko-gjerman.
“Kjo ishte për të nisur diskutimin, jo për të përfunduar diskutimin. Diskutimi tashmë ka nisur të zhvillohet me një dokument të ri, me dokumentin franko-gjerman. Kështu që me shpresë, dy miqtë e mi të mëdhenj dhe udhëheqës fort të respektuar të Francës pranë dhe Gjermanisë do të gjejnë më shumë staminë që të jenë më tepër si Kohli dhe Miterani”, shtoi ai.
Sipas kryeministrit Rama, “BE-ja tashmë duhet të gjejë këllqe që të krijojë një moment ‘Helmut Kohl'”.
“Pra, të gjithë ne rreth një tryeze si sot gjithmonë, por gjithsecilit i duhet që të bëjë punën e vet, të përmbushë detyrat e veta për të marrë më shumë nga tryeza. Nuk u thua fëmijëve shko rri te komshiu derisa të jesh gati të vish e të hash me ne. Sepse pastaj një nga fëmijët njeh një gangster rus aty në lagje. Tjetrit fillojnë t’i pëlqejnë kukullat kineze, e kështu me radhë. Jo, i mban fëmijët të gjithë bashkë”, shtoi Rama.
1 nga 2/j.p/r.e/