E Diel, 1 Nëntor 2026

Vokshi kërkon raportim në Kuvend për konkluzionet e Konferencës Ndërqeveritare Shqipëri-BE

TIRANË, 5 qershor /ATSH/ Nënkryetarja e Komisionit për Politikën e Jashtme, deputetja e Partisë Demokratike, Albana Vokshi i ka kërkuar Kryetarit të Kuvendit Niko Peleshi përfshirjen në kalendarin e punimeve të një raportimi nga Kryeministri Edi Rama mbi konkluzionet e konferencës ndërqeveritare Shqipëri-BE të zhvilluar më 26 maj 2026.

Përmes një shkrese zyrtare drejtuar Kuvendit, Vokshi kërkon informim lidhur me rezultatet e negociatave për grupkapitullin “Themeloret”, si dhe mbi kushtet që Shqipëria duhet të përmbushë në vijim të procesit të integrimit europian.

Sipas saj, raportimi në Kuvend pas konferencave ndërqeveritare me Bashkimin Europian është një detyrim i përcaktuar në ligj.

“Në bazë të Ligjit nr. 15/2015 ‘Për rolin e Kuvendit në procesin e integrimit evropian të Republikës së Shqipërisë’, të ndryshuar me ligjin nr. 19/2023, neni 18/3, Këshilli i Ministrave dhe ministri përgjegjës për negociatat informojnë në seancë plenare konkluzionet mbi negocimin e një kapitulli ose grupkapitujsh pas zhvillimit të konferencës ndërqeveritare me Bashkimin Europian”, thuhet në kërkesën e deputetes.

Vokshi kërkon që Kuvendi të zhvillojë një seancë raportimi mbi konkluzionet e Konferencës së 8-të Ndërqeveritare Shqipëri-BE dhe mbi kushtet që vendi duhet të përmbushë për avancimin e negociatave në kuadër të grupkapitullit “Themeloret”.

Kërkesa vjen në një moment kur Shqipëria vijon procesin e negociatave për anëtarësim në Bashkimin Europian.

/e.xh/r.e/a.f/

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›