Rama për Chris LaCivita: Ka lindur me këmishë, ka gjetur budallenj që e paguajnë

TIRANË, 12 prill /ATSH/ Kryeministri Edi Rama, njëkohësisht kryetar i Partisë Socialiste, në çeljen zyrtare sot të fushatës elektorale të PS nga sheshi “Skënderbej”, në Tiranë, ironizoi opozitën duke thënë se i vetmi prioritet i “kënetës” është kthimi në pushtet i “bufit” për të tretën herë për të shkatërruar edhe më tej vendin, sikurse herët e tjera.
“”Këneta” thotë se anëtarësimi ynë në BE nuk është prioritet dhe se ai do të ndodhë vetë, po prioritet sipas kënetës është kthimi i Bufit për të tretën herë në krye të vendit, pasi në dy herët e mëparshme nuk e shkatërroi e pastaj rrënoi mjaftueshëm Shqipërinë”, u shpreh Rama.
Kreu i PS-së tha se “për këtë prioritet, Bufi ka sjellë me kushedi se sa para, që kushedi ku i ka gjetur, edhe një Latif nga Amerika, i cili Latifi për të gjithë ne që jemi rritur në lagjet e Tironës të kujton tamam atë të fortin e lagjes që qullsi poshtë pallatit e thërret “Hajde Latif se ata do të më rrahin”. Latifi dje kishte publikuar një buf që hante një mi dhe kishte ngritur pyetjen kush është miu? Atij bravo i qoftë, se të gjesh budallenj që të paguajnë tërë ato para, për të të duartrokitur edhe kur i’a fut kot në atë farë feje, është vërtetë të kesh lindur me këmishë. Se që Bufi është Bufi kjo s’ka diskutim, kurse për miun ka shumë kandidatë, që nga Luli i shkretë që harroi që ishte mi e u soll si ari, deri tek ai i shkreti nga Kavaja, fituesi i primareve të Tiranës, që besoi tek Bufi si njeri dhe Bufi e kullufiti si të ishte thjesht një mi”.
Rama theksoi se historia e PS është gjë tjetër.
“Dua të përshëndes këtu Zamirën, dekanen e Fakultetit të Vlorës, edhe si vlonjate që nuk e bënte dot rolin e miut, erdhi dhe u bashkua me ne, duke përfaqësuar sot Vlorën në skuadrën tonë në 11 maj. Erdhi jo vetëm, po me shumë të rinj e të reja të FRPD të Vlorës, vlonjatë dhe ata, nuk mund të rrinin dot në radhë për t’u bërë minj. Shembulli i demokratëve të Vlorës është shembulli i Vlorës, sepse Vlora është ajo që e ndjen në mënyrë të çuditshme erën e historisë”, tha Rama.
/r.e/