Rama për protestat për Zvërnecin: Territor lufte hibride, por gjithkush do të marrë atë që i takon

TIRANË, 3 qershor/ATSH-Maela Marini/ Kryeministri Edi Rama foli sot lidhur me protestat kundër investimit në Zvërnec, ndërsa shprehu bindjen se jemi në një territor të luftës hibride të orkestruar nga forca që janë kundër zhvillimit të vendeve dhe kundër Bashkimit Europian.
I pyetur nëse ka pasur ndërhyrje nga shtete të huaja në protestat që po zhvillohen për investimin në Zvërnec, Rama theksoi se ky është territor i luftës hibride që zhvillohet.
“Kush nuk ka kuptuar akoma këtë, nuk ka për ta kuptuar as me fjalën e agjencive ligjzbatuese, por dihet botërisht, sepse për këtë jemi të respektuar edhe brenda NATO-s, se kemi një nga mbrojtjet më të forta kundër terrorit kibernetik. Pra kemi një pasqyrë shumë të plotë se nga vijnë e ku shkojnë, por natyrisht ky nuk është një territor i terrorit kibernetik”, shtoi Rama.
Rama theksoi se ka raporte dhe studime se si forca kundër Bashkimit Europian organizojnë, nxisin dhe orkestrojnë situata të kësaj natyre, duke përdorur në radhë të parë çështjet e ambientit.
“Ky është një territor i luftës hibride që zhvillohet, për të cilën kemi dëgjuar nga vende të tjera dhe e cila ka ardhur dhe këtu në vendin tonë. Janë të panumërta burimet e botës demokratike që kanë nxjerrë raporte dhe studime se si forcat kundër Bashkimit Europian, forcat kundër zhvillimit të vendeve që i duan nën sqetull apo që nuk i duan të forta organizojnë dhe nxisin dhe orkestrojnë situata të kësaj natyre duke përdorur në radhë të parë çështjet e ambientit”, shtoi Rama.
Kjo sepse, sipas Ramës, “tek çështjet e ambientit ka sensibilitet shumë të madh”.
“Tek çështja e ambientit ndodh pikërisht ajo gjëja që bashkohen vëllezërit e Agimit të Artë që orkestrohen nga ustallarë si ata të Agimit të Artë në emër të Shqipërisë së shqiptarëve, me shqiptarë, vajza, djem, të reja, të rinj me qasje atdhedashurie ndaj natyrës, të cilët ndjehen të lënduar. Pikërisht këtë dinë këto forcat që bëjnë gjëra të tilla”, shtoi Rama.
Kryeministri theksoi se kjo është një luftë hibride, por shprehu bindjen se “nuk ka fare dyshim që kjo luftë do të mbarojë dhe që gjithkush do të marri atë që i takon”.
“Mbi të gjitha që Shqipëria dhe shqiptarët do të marrin të ardhurat që u takojnë për të rritur ekonominë, për të rritur Shqipërinë në të gjitha aspektet, por natyrisht edhe në aspektin kryesor që është ekonomia”, shtoi Rama.
Në këtë drejtim, Kryeministri solli në vëmendje përfitimet që sjellin për vendin investime të tilla.
“Injoranca nuk është asnjëherë argument dhe unë duke qenë se i druhem shumë injorancës time për shkak se më duhet të flas për shumë fusha, për shkak të detyrës të cilat nuk kam se si t’i njoh vetvetiu dhe as nuk mund të shkoj mbas berihasë, lexoj shumë, mësoj shumë, sepse mbaj përgjegjësi për ato që them. Dhe nga ana tjetër duhet të përballem, me njerëz që thonë: po për çfarë na duhen ne resortet luksoze, se ato nuk janë për ne? Në fakt, e kundërta është e vërtetë, resortet luksoze janë ato që sjellin të ardhurat më të larta në ekonomi nga turizmi”, tha Rama.
Rama theksoi se këto janë shifra dhe për këto të rinjtë mund t’i drejtohen edhe inteligjencës artificiale.
“Nuk ka nevojë të më dëgjoni mua. Madje tani që të rinjtë kanë edhe Chat GPT apo të tjera platforma të inteligjencës artificiale mund t’i pyesin dhe t’i thonë unë jam një shqiptar që nuk kam të ardhura nga familja ime, dhe familja ime nuk i ka të ardhurat për të shkuar në një resort luksoz. Pse duhet unë ta pranoj ndërtimin e resortit luksoz? Dhe do marri përgjigjen që resorti luksoz prodhon të ardhura edhe për të”, tha Rama.
Sipas tij, “është diçka e studiuar dhe e bazuar në fakte, e nënvizuar nga organizatat më serioze ndërkombëtare që 1 euro që hyn në një resort luksoz shoqërohet me 1,6 deri në 2 euro që hyjnë në ekonominë lokale të atij vendi”.
“Se resorti luksoz nuk ndërtohet në Hënë, ndërtohet në një realitet rreth të cilit ka njerëz dhe është një realitet ku vijnë njerëz të cilët konsumojnë produktet rreth e rrotull, të cilët shfrytëzojnë shërbimet rreth e rrotull dhe të cilët kontribuojnë në ekonominë e vendit”, tha Rama.
Rritja e të gjithë zinxhirit ekonomik, sipas Ramës, sjell dhe rritjen e të ardhurave për shtetin.
“Dhe nga ato të ardhura shteti paguan paga dhe pensione dhe nuk ka nevojë për të qenë shkencëtar, as për të studiuar inxhinieri mjedisore apo për të studiuar makroekonomi.
Mjafton të shikojnë Malin e Zi, që nuk prodhon raketa, makina dhe nuk ka ndonjë sektor aq të suksesshëm të teknologjisë digjitale si vende të tjera. Çfarë prodhon Mali i Zi? Cili është motori më i madh ekonomik i Malit të Zi? Turizmi. Atëherë si shpjegohet që në Mal të Zi prej kohësh pagat janë më të lartat në rajon me diferencë të madhe?!”, tha Rama.
Kryeministri theksoi se përgjigjja është shumë e thjeshtë, janë resortet luksoze.
“Kështu që nuk kam asnjë dilemë unë për këtë dhe nuk kam asnjë arsye që të mendoj se me vetëdijen time Shqipërisë i duhet hequr qafe ky projekt”, shtoi ai. /j.p/r.e/