“Rama po i bën presion gjykatës”, Berisha kërkon nga Kushtetuesja të zhvillojë një seancë publike

Kryetari i Partisë Demokratike Sali Berisha deklaroi se Gjykata Kushtetuese vendosi nën presionin e kryeministrit shqyrtimin në séancë plenare të çështjes së pezullimit të numrit 2 të qeverisë Belinda balluku. Në konferencën me gazetarët, Berisha i bëri apel Kushtetueses që të zhvillojë séancë të hapur publike për ankimimin e kryeministrit Edi Rama.
“Gjykata në një presion të tmerrshëm vendosi të shqyrtojë çështjen e përfaqësuar nga avokati i vjedhjeve qeveritare, Edvin Kristaq Rama. Duke mos komentuar më tej, në këtë çështje, i bëj thirrje Gjykatës Kushtetuese të parashikojë seancë publike në gjykimin e kësaj çështje pasi është çështja më e nxirë në historinë e jurisprudencës evropiane dhe botërore”, tha Berisha.
Sipas Berishës gjykata nuk duhet ta kishte marrë në shqyrtim këtë çështje dhe kryeministri Edi Rama duhet të japë dorëheqjen.
“Sot i vetmi vendim që Gjykata mund të merrte, mos-shqyrtimin e kësaj kërkese të paraqitur nga kryeministri më hajdut i Shqipërisë në kohëra, por edhe më hajdut në Europë, që merr guximin për të mbrojtur një vjedhje kaq të madhe të Tunelit të Llogarasë, të shfrytëzojë presionin ndaj gjykatave për t’u mbrojtur. Edi Rama duhet të japë me urgjencë dorëheqjen”, shtoi Berisha.
Prej disa ditësh kryetari i PD Sali Berisha ka shfrytëzuar çdo komunikim me median për të mbrojtur vendimin e Spakut dhe Gjykatës së posaçme për pezullimin e Belinda Ballukut, duke akuzuar kryeministrin Edi Rama se po mbron një anëtar të kabinetit të tij që është marrë i pandehur nga SPAK./vizionplus.tv