Rama prezanton Ministren e re të Shëndetësisë: Integrim i inteligjencës artificiale në sistemin shëndetësor. Sala: Zgjidhim rimbursimin e barnave onkologjike

Kryeministri Edi Rama ka prezantuar sot (20 shtator) Ministren e re të Shëndetësisë, Evis Salën, në ambientet e Qendrës Spitalore Universitare “Nënë Tereza”. Gjatë fjalës së tij, Rama vlerësoi figurën profesionale të Ministres Sala, duke e cilësuar si një personalitet me karrierë të spikatur në mjekësi dhe akademi.
“Jam i bindur që shumëkush e njeh si një studente të shkëlqyer në Fakultetin e Mjekësisë, e cila prej gati 30 vjetësh ka ndërtuar një karrierë ndër më mbresëlënëset. Ajo ka spikatur si akademike, mjeke dhe drejtuese në institucione të njohura brenda dhe jashtë vendit. Sjell në qeveri shembullin rrezatues të shqiptarëve të suksesshëm në Europë dhe botë, të cilëve do t’u hapim derën gjithnjë e më shumë,” u shpreh Kryeministri.
Rama theksoi se mandati i katërt qeverisës synon një transformim të thellë të sistemit shëndetësor, përtej infrastrukturës dhe rritjes së pagave për personelin mjekësor. Ai prezantoi dy shtylla kryesore të reformës: zgjerimi i aleancave me ekselencat ndërkombëtare dhe integrimi i inteligjencës artificiale në shërbimet shëndetësore.
“Kemi firmosur një marrëveshje me një nga institucionet më të avancuara italiane dhe europiane për administrimin e QSUT-së dhe për zhvillimin e universitetit mjekësor. Po ashtu, kemi nisur bashkëpunim me spitalin Sheba në Izrael, një nga më të mirët në botë. Synojmë hapjen e një universiteti të ri mjekësor në Fier dhe krijimin e një spitali ekselence që do të shërbejë si pikë referimi për turizmin shëndetësor,” deklaroi Rama.
Ai njoftoi gjithashtu se po zhvillohen diskutime për një partneritet strategjik me një kompani lider në fushën e inteligjencës artificiale në shëndetësi në Mbretërinë e Bashkuar.
“Jemi në diskutime për të lidhur një partneritet strategjik me një ndër kompanitë më të njohura në fushën e AI-së në shërbim të shëndetësisë, e cila është i vetmi unicorn në këtë fushë që ka aktualisht Mbretëria e Bashkuar. Këto do të jenë në fokusin e Ministres së re”, theksoi Rama.
Në fjalën e saj të parë si Ministre e Shëndetësisë, Sala u shpreh e vetëdijshme për sfidat që e presin, duke theksuar rëndësinë e punës në ekip dhe të reformave të guximshme. Ndër punët e para, Ministrja tha se do t’i japë zgjidhje sa më shpejt rimbursimit të barnave onkologjike.
“Do ta fokusoj punën time në disa iniciativa kyçe, duke nisur me zgjidhjen e rimbursimit të barnave onkologjike. Është e papranueshme që në një vend që synon integrimin në BE, këto barna të mos jenë tërësisht të rimbursueshme. Po ashtu, do të riorganizojmë shërbimin parësor dhe diagnostikues, duke ulur fluksin në spitale dhe shpëtuar më shumë jetë,” tha Sala.
Ajo shtoi se dixhitalizimi i integruar i sistemit shëndetësor është parakusht për aplikimin e inteligjencës artificiale dhe se do të ndërmerren hapa konkretë dhe për ndalimin e largimit të mjekëve nga vendi.
“Fakulteti i Mjekësisë në Shqipëri nxjerr mjekë të shkëlqyer. Nuk ka arsye që ata të kërkojnë karrierë jashtë vendit. Asgjë nuk bëhet vetëm. Ndaj këtij oqeani të madh që i jam futur, do t’i futemi të gjithë bashkë,” përfundoi Ministrja.
/rtsh.al/