Rama prezanton programin e ri për dyfishimin e ndërmarrjeve: Mbështetje dhe garanci financiare, publikohet në fillim të muajit Maj

Kryeministri Edi Rama, në episodin e fundit të podkastit “Flasim”, ka njoftuar se qeveria do të prezantojë së shpejti një program të ri në mbështetje të ndërmarrjeve të mesme dhe të vogla. Programi, i realizuar në bashkëpunim me Bankën e Shqipërisë dhe bankat e nivelit të dytë, synon hapjen e një linje të re kredie dhe vendosjen e instrumenteve të garancisë për bizneset që kanë vizion rritjeje, por mungesë kapitali dhe akses në financë.
Rama tha se qeveria po krijon mekanizma të rinj për të mbështetur sipërmarrjet që kanë bazë solide, por pamundësi financiare për të realizuar projektet e tyre.
“Kjo javë ka qenë java e punës edhe për një program të ri që qeveria do ta bëjë së shpejti të disponueshëm për të gjithë të interesuarit. Programi “Dyfisho Ndërmarrjen Tënde” është një program bashkëpunimi mes qeverisë, Bankës së Shqipërisë dhe bankave të nivelit të dytë për të hapur një linjë të re kredie dhe për të vendosur instrumente të reja garancie për ndërmarrjet e mesme që janë krijuar në bazë të një vizioni rritjeje, por që kanë pikërisht pamundësinë për ta mbështetur atë vizion me kapital të mjaftueshëm dhe akses në financë”, tha Rama.
Ai shtoi se brenda muajit të ardhshëm do të shpallet zyrtarisht programi, me ceremoninë e firmosjes së marrëveshjeve të nevojshme. Sipas tij, çdo ndërmarrje e mesme do të ketë mundësi të përfitojë garanci dhe financim që do ta çojë drejt dyfishimit të kapaciteteve të saj.
“Pikërisht këtë po bën qeveria me Bankën e Shqipërisë dhe bankat e nivelit të dytë. Kemi pasur një takim të dobishëm dhe kemi dakordësuar që brenda një muaji, në fillim të afatit, do të shpallim programin me firmosjen ceremoniale të të gjitha marrëveshjeve të nevojshme.
Të gjitha ndërmarrjeve të mesme do t’u ofrohet një garanci dhe një financim që do t’i çojë në dyfishimin e ndërmarrjes së tyre”, tha ai.
/rtsh.al/