E Hënë, 2 Nëntor 2026

Sali Berisha kritikon Altin Dumanin pas raportimit në Kuvend: SPAK po mbron aferat e mëdha

Pas prezantimit të raportit vjetor të SPAK për vitin 2024 nga kreu i Prokurorisë së Posaçme Altin Dumani në Kuvendin e Shqipërisë, kryetari i Partisë Demokratike Sali Berisha reagoi me tone të ashpra duke e akuzuar Dumanin se po mbron aferat korruptive.

Berisha e cilësoi seancën si një moment unik për qytetarët shqiptarë, ku sipas tij duke iu referuar deputetëve socialist, u pa “grupi i mëkatarëve të strukur, të përulur gjer në dhe” dhe një “avokati e shpifur që iu bë një sistemi që penalizon qytetarin e thjeshtë”.

Berisha akuzoi Dumanin se po mbulon skandalet e inceneratorëve dhe marrëveshjen me kompaninë CEZ, duke thënë se “Nuk i ka vjedhur Altin Dumani këto, por Altin Dumani është bërë avokat i vjedhjeve më të mëdha në historinë e këtij vendi.”

Ai pretendoi se vetëm nga inceneratorët dhe pazari me CEZ janë vjedhur rreth 1 miliard euro, duke theksuar se “qytetarët shqiptarë vetëm me CEZ-in kanë humbur 630 milionë euro, fatura të certifikuara nga kompani ndërkombëtare, për shkak të pazarit që Edi Rama ka bërë me kompaninë CEZ, ndërkohë që arbitri ndërkombëtar i shkruante letër dhe i thoshte zoti kryeministër mos bëj marrëveshje sepse qeveria shqiptare është në pozitën e fituesit. Por këto i mbulon Dumani dhe dumanërit.”

Berisha akuzoi SPAK se po zvarrit hetimet për inceneratorët, duke ironizuar deklaratat e Dumanit për hetime paraprake.

“Janë 400 milionë euro që nuk ekzistojnë. Janë 140 milionë për djegësin e Tiranës, që nuk ka as gjurmë, që i kanë paguar njerëzit e varfër, dhe ai thotë po vazhdojmë hetim paraprak.”

Ai përmendi rastin e Arben Ahmetajt, duke thënë se është dënuar për “pllakat e banjos” ndërkohë që kishte kundërshtuar projektin me shkrim pesë herë.

“Është dënuar Arben Ahmetaj që e ka kundërshtuar 5 herë me shkrim. Dhe u dënua sepse u gjetën pllakat e banjos. Domethënë 140 milionë euro kushtonin sa pllakat e banjos të ish-bashkëshortes së Arben Ahmetajt.

Në përmbyllje, Berisha tha se fondet e humbura nga këto afera mund të kishin dyfishuar pensionet dhe pagat në vend:

“A e dini o qytetarë se të marra së bashku këto bëjnë 1 miliard euro?Se të marra së bashku bëjnë dyfishim pensionesh? Se të marra së bashku bëjnë dyfishim rrogash.Të marra së bashku këto bëjnë dyfishim pensionesh. Të marra së bashku bëjnë dyfishim rrogash.”

Deklaratat e Berishës erdhën menjëherë pas raportimit të Dumanit, i cili kishte theksuar se SPAK nuk dorëzohet përballë presioneve dhe se bashkëpunimi me FBI dhe DEA është pa barriera.

/rtsh.al/

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›