Rama publikon pamje nga Tirana me turistë: Një mëngjes tashmë i zakonshëm për kryeqytetin

Rrugët e kryeqytetit shqiptar këtë të diel, më 31 maj, janë mbushur me turistë të huaj që kanë zgjedhur të eksplorojnë Tiranën pavarësisht temperaturave të larta.
Kryeministri Edi Rama ka ndarë pamje nga qyteti përmes një postimi në rrjetet sociale, ku shprehet se prania e turistëve është tashmë një pamje e zakonshme për Tiranën gjatë stinës së ngrohtë.
“Mirëmëngjes dhe me një mëngjes tashmë të zakonshëm për Tiranën që me stinën e ngrohtë zgjohet mes qindra turistëve dhe aparatesh fotografikë, ju uroj një të diel të paqtë”, ka shkruar Rama.
Pamjet e publikuara tregojnë grupe turistësh që vizitojnë kryeqytetin, duke fotografuar ndërtesat dhe pikat më interesante që Tirana ofron.
Vitet e fundit, kryeqyteti dhe Shqipëria në tërësi kanë shënuar një rritje të ndjeshme të numrit të vizitorëve të huaj, duke e kthyer Tiranën në një destinacion të preferuar për turistët.
Sipas statistikave, krahasuar me një vit më parë, numri i turistëve që mbërrijnë në vend është rritur ndjeshëm, ndërsa pritet që sezoni veror të sjellë një fluks edhe më të madh vizitorësh.
/rtsh.al/