E Diel, 1 Nëntor 2026

Raporti 2025/ SPAK: Kokaina vjen nga Amerika Latine, policë të përfshirë në trafik, drogërat sintetike treg në Evropë

Sipas raportit të vitit 2025, të publikuar nga ajo vetë, Prokuroria e Posaçme (SPAK) pretendon se ka shënuar rritje të volumit të hetimeve penale.

Sipas SPAK, gjatë vitit 2025, janë “hetuar gjithsej 871 procedime penale, nga të cilat 294 janë procedimet të reja, të regjistruara gjatë vitit 2025 dhe 39 prej të cilave janë bashkuar, ndërsa 577 janë të mbartura nga viti 2024.

Krahasuar me vitin 2024, kjo përfaqëson një rritje prej 4.9% të volumit të hetimeve penale (nga 793 në 832).

Po ashtu, raporti mes procedimeve penale të reja dhe çështjeve/hetimeve të përfunduara u rrit me rreth 6.67% gjatë vitit 2025, krahasuar me vitin 2024.”

Sa i përket volumit të punës në mbylljen e hetimeve, Prokuroria e Posaçme ka vijuar të tregojë qëndrueshmëri me 216 çështje/hetime të përfunduara në vitin 2025, duke ruajtur të njëjtin nivel me vitin 2024.

Edhe pse numri i çështjeve të dërguara në gjykatë ka rënë me 19.5%, numri i personave të përfshirë në këto çështje është rritur me 13.5%, çka tregon se, hetimet janë fokusuar tek çështje më komplekse, që përfshijnë më shumë individë. Kjo e dhenë, një reflektim të qasje më strategjike dhe të fokusuar të SPAK në ndjekjen penale gjatë këtij viti raportues.

Gjatë vitit 2025, rreth 29% e çështjeve dhe hetimeve të përfunduara janë transferuar tek prokuroritë e juridiksionit të përgjithshëm, një rënie e ndjeshme krahasuar me mesataren e periudhës 2021-2024.

Ndërkohë, një pjesë e raportit të SPAK i përket trafikut të lëndëve narkotike, kokainës, kanabisit dhe drogërave të tjera sintetike.

Nga hetimet e zhvilluara gjatë vitit 202, kryesisht ka rezultuar se grupet kriminale të trafikut të kokainës kanë përdorur metoda më të sofistikuara, me ndarje të qartë rolesh dhe rrugë të organizuara transporti nga Kolumbia dhe Ekuadori drejt Evropës. Droga transportohej kryesisht me kontenjerë dhe fshihej në mallra si fruta, kakao apo paleta druri, shpesh përmes kompanive fiktive dhe dokumenteve të falsifikuara.

Rrjetet kishin strukturë gjysmë-hierarkike, drejtuesit organizonin financimin dhe rrugët ndërkombëtare, ndërsa anëtarët e tjerë merreshin me transportin, magazinimin dhe shpërndarjen lokale.

Pagesat bëheshin kryesisht me cash, sisteme informale si Havala dhe kriptovaluta, ndërsa fitimet pastroheshin përmes bizneseve dhe pasurive të paluajtshme.

Hetimet kanë treguar gjithashtu për korrupsion në porte dhe dogana dhe bashkëpunimi ndërkombëtar me autoritete evropiane ka çuar në sekuestrimin e sasive të mëdha të drogës dhe aseteve financiare.

Në raport flitet dhe kultivimin dhe trafikimin e kanabisit, aktivitete që vazhdojnë të jenë të përhapura te grupet kriminale shqiptare, shpesh në bashkëpunim me shtetas të huaj dhe në disa raste edhe me përfshirje të punonjësve të policisë. Kultivimi bëhej në zona rurale dhe sera të izoluara, ndërsa droga transportohej përmes rrugëve alternative për të shmangur kontrollet, kryesisht drejt Greqisë, Malit të Zi, Turqisë, Finlandës dhe Zvicrës.

Grupet kishin strukturë vertikale me role të qarta, nga drejtuesit dhe financuesit te kultivuesit, transportuesit dhe shpërndarësit. Pagesat kryheshin kryesisht me cash ose transferta të maskuara, ndërsa komunikimi realizohej përmes platformave të enkriptuara.

Ndërkohë, drogat sintetike nuk janë aktivitet kryesor i grupeve kriminale shqiptare, por në disa raste ato trafikohen nga rrjete ndërkombëtare që merren me disa lloje drogash njëkohësisht. Këto lëndë transportohen kryesisht nga Holanda dhe Spanja drejt Finlandës dhe shpërndahen përmes rrjeteve të organizuara, shpesh në bashkëpunim me shtetas të huaj.

LEXO EDHE: SPAK publikon raportin vjetor për 2025: Rritet numri çështjeve për veprën penale të korrupsionit

Më shumë nga Kronika

Të gjitha ›