“Të puthsha mendjen”/ Apeli i GJKKO la në fuqi pezullimin e Ballukut, ironizon Manjani: Çfarë shkence!

Ish-ministri i Drejtësisë, Ylli Manjani ka ironizuar vendimin e Apelit të GJKKO-së për ish-zv.kryeminstres Belinda Balluku, i cili sërish la në fuqi pezullimin nga detyra për deputeten socialiste.
Në një postim në rrjetet sociale, Manjani ironizon vendimin e kësaj gjykate.
Sipas tij, edhe pse Balluku është larguar nga detyra, ajo sërish pezullohet nga Apeli i GJKKO.
“Prit ore prit njëherë, se lajmi më fantastikoshkencor qenka ky i apelit të GJKKO.
Megjithëse Belinda Balluku nuk ka më detyrë ekzekutive, gjykata e ka lënë prap në fuqi pezullimin nga detyra. Çfarë shkence! Çfarë drejtësie! Çfarë llogjike! Gjykata të gjykon edhe kur të mos jesh, jo thjesht në detyrë po as në këtë botë… Vetëm mllefi ndaj personit e justifikon këtë budallëk juridik! Të puthsha mendjen, dmth!“, shkruan ai.
Ditën e sotme, Apeli i GJKKO rrëzoi ankesën e Belinda Ballukut për rrëzimin e masës së pezullimit nga detyra.
Shqyrtimi i kësaj kërkese erdhi pas vendimit të Kushtetueses, ndonëse Balluku tashmë është shkarkuar si zv.kryeministre dhe ministre e Infrastrukturës.