E Diel, 1 Nëntor 2026

Reforma integruese dhe përgjigjja e munguar e qeverisë

Pas daljes së Raportit të Progresit të Komisionit Evropian për Shqipërinë, në nëntor të 2007-ës, Kryeministri premtoi se ai do të shërbejë si "program një vjetor i qeverisjes". Realiteti flet ndryshe; po tregohet pak vëmendje apo transparencë në drejtim të zbatimit të reformës integruese. Me rastin e diskutimit të buxhetit të vitit 2008, në dhjetor, në Kuvend sugjerova nevojën për të riorientuar atë në përputhje me përparësitë e paraqitura në Raportin e KE, por nuk pati vullnet për të reflektuar këtë sugjerim. Kjo më bëri skeptike për të besuar në këtë premtim dhe për rrjedhojë në seriozitetin e qeverisë për zbatimin e reformës integruese për të cilën flitet shumë pak në terma konkretë.

Për fat të keq, vazhdohet me demagogji. Ajo së fundi arriti deri në ekzaltim mbi "sukseset" për liritë ekonomike. Për ata që nuk e kuptojnë interpretimin dhe llogaritjet statistikore të treguesve sintetikë të lirisë ekonomike nga institucione të specializuara (kjo çështje meriton shkrim me vete), ndoshta besojnë vërtet, deri në eufori, se qenkemi ekonomia më e lirë edhe në raport me vendet e BE rreth nesh si Italia dhe Greqia, por shqiptarët e mençur buzëqeshin hidhur nga ky fakt. (Edhe Armenia, Gjeorgjia apo Uganda janë shumë më lart se vendi 56 që ka Shqipëria në renditjen e lirisë ekonomike, përkatësisht ato ndodhen në vendin e 28, 32 dhe 52, por ka pak vend për komente mbi standardet e tyre të zhvillimit.)

Për të shpjeguar dobësitë tona në raport me reformën integruese, më poshtë po përpiqem të trajtoj disa çështje të saj, duke u ndalur në çështjet e tregut të brendshëm si pjesë e rëndësishme e reformës për "një ekonomi tregu funksionale", në zbatim të kritereve të Kopenhagenit.

Qeveria aktuale pretendon se është e djathtë. Si e tillë, ajo duhet të këtë prioritet të drejtën e pronës (private apo publike) dhe funksionimin e tregut të lirë. Në fakt, pasiguria e të drejtave të pronësisë, përfshirë të drejtat e pronësisë intelektuale, konsiderohet si fusha e "aksidentuar" e lojës. Kjo vjen si rezultat i pamjaftueshmërisë të zbatimit të ligjit dhe i fenomenit të korrupsionit të përhapur, duke sjellë një nga kritikat më të forta të Komisionit Evropian për qeverinë e djathtë në raportin e fundit të tij për Shqipërinë. Edhe liria ekonomike e shumëreklamuar nga qeveria si arritje për çështjet me rëndësi vendimtare të reformës si ato të së drejtës mbi pronën dhe shmangies së korrupsionit, është përkatësisht 30% dhe 24%, pra tejet e ulët (maksimumi është 100%) dhe shumë larg standardeve të vendeve evropiane që mesatarisht këto indekse i kanë 2 deri 3 herë më lart se ne. (Kurse Armenia, Uganda apo Gjeorgjia janë në një nivel me ne në këta tregues të rëndësishëm, megjithëse janë shumë më lart se ne në treguesin sintetik të lirisë. Kjo sa për të ilustruar konfuzionin që të krijon interpretimi që mbështetet vetëm në treguesin sintetik të lirisë ekonomike).

Me këtë rast kujtoj se problemet që adresohen me shqetësim në raportin e BE-së lidhur me tregun e brendshëm janë: (I) të drejtat e pronësisë mbi tokën pengojnë vendosjen e të huajve në Shqipëri, pra pengojnë investimet e huaja direkte, (II) të drejtat e pronësisë intelektuale nuk janë të garantuara dhe nuk ka progres në këtë fushë, sidomos në drejtim të koordinimit të institucioneve që përfshihen në proces, (III) fusha e lojës është "e aksidentuar" sidomos për shkak të informalitetit, (IV) kapacitetet për politikat tregtare kanë mbetur në vend ose kanë bërë hapa prapa, sidomos në drejtim të sekretariatit të OBT-së.

Më poshtë po komentoj disa nga gjetjet kritike më të rëndësishme në fushën e tregut të brendshëm:

Ngadalësi në përafrimin e legjislacionit në fushën e tregut të brendshëm

Raporti i Komisionit Evropian tërheq vëmendjen për vonesa të pajustifikuara në drejtim të përafrimit të legjislacionit mbi tregun e brendshëm. Në këtë kuadër vërehen mungesa e strategjive, si edhe vonesa në përafrimin e legjislacionit. Konkretisht, qeverisë shqiptare i mungon një strategji për mbikëqyrjen e tregut, një strategji tërësore për mbledhjen e taksave dhe një strategji mbi të drejtat e pronësisë intelektuale e industriale. Nga ana tjetër, për përmirësimin e shanseve të punësimit kërkohet që strategjia e trajnimit dhe edukimit profesional të përfshihet në strategjinë kombëtare, sektoriale dhe atë rajonale.

Është për t‘u vërejtur vonesa e pajustifikuar në përfshirjen në legjislacionin shqiptar të një sërë parimesh evropiane të tilla si përfshirja në legjislacion: e dallimit mes mbikëqyrjes së tregut dhe mbrojtjes së konsumatorit, e dallimit mes ofrimit të shërbimeve në mënyrë të përkohshme dhe të përhershme në formën e vendosjes, e përmirësimit të procedurave të licencimit të personave që ofrojnë shërbime, e mos diskriminimi të të huajve në blerjen e pasurive të paluajtshme dhe investimeve të portofolit, e dhënies së statusit të shërbimit civil të punonjësve të doganave, e mungesës së sistemeve të matjes së performancës, e kalimit në një institucion tjetër të shqyrtimit të ankesave në fushën e prokurimit publik etj. Më tej, duhet konsideruar me shqetësim vonesa në përafrimin e legjislacionit, si p.sh., mosmiratimi i ligjit për standardizimin, ligjit për metrologjinë, ligjit për punësimin e të huajve, përmirësimin e ligjit të konkurrencës, ligjit të prokurimit publik etj.

Besoj se kjo renditje mangësish flet shumë se sa vend ka për punë e sa pak për mburrje për realizimin e angazhimeve të marra.

Ligje jo në linjë, ose largim i qartë nga acquis communautaire

Në legjislacionin fiskal vërehet - në disa raste - një largim i qartë nga legjislacioni evropian. Ligji i ri i miratuar kohët e fundit mbi procedurat tatimore, i cili kërkon pagimin e masës së plotë të detyrimit të vlerësuar dhe 15% gjobë para apelimit në sistemin gjyqësor bie ndesh në mënyrë të qartë me praktikën evropiane. Është për t‘u theksuar këtu se ky ndryshim është kundërshtuar qartë nga opozita dhe biznesi, por nuk po reflektohet nga qeveria, megjithëse në raportin e KE-së është evidentuar qëndrimi kundër për shkak të mungesës së referencave të ngjashme në legjislacionin komunitar. Por edhe aprovimi i fundit i ndryshimeve në ligjin e TVSH-së, pavarësisht kundërshtimit të opozitës është një praktikë e papranueshme nga BE-ja që patjetër do të sjellë një reagim kritik të saj.

Ky ndryshim përbën një diskriminim fiskal, i cili është kundër angazhimeve të MSA-së. Sipas nenit 21 të Marrëveshjes së Ndërmjetme, mund të thuhet se rivendosja e TVSH-së në import për shtypshkrimet, revistat, periodikët etj., prezanton një diskriminim fiskal për këto produkte importi kundrejt produkteve të tilla të prodhuara në vend që janë të përjashtuara nga TVSH-ja.

Nën presionin e KE-së për moszbatim angazhimesh, qeverisë do t‘i duhet patjetër që për të shmangur këtë diskriminim fiskal, ose të shqyrtojë variantin e vendosjes së TVSH-së për revistat, shtypshkrimet e prodhuara në vend ose të zhbëjë atë që bëri me këtë ligj. Por çfarëdo që të bëjë, ky veprim na prezanton përsëri si të paaftë dhe jo seriozë përpara BE-së. Prandaj për veprime të tilla duhet të mbajnë përgjegjësi institucionet përgjegjëse, nëse vërtet kjo qeveri dëshiron të prezantohet sadopak serioze në angazhimet e MSA-së përpara shqiptarëve dhe BE-së. Përsëritja e praktikës së nxituar të aprovimit të ligjeve në përgjithësi dhe atyre fiskale me rëndësi në veçanti, po thellon jo vetëm mosrespektimin e përsëritur të legjislacionit shqiptar, por edhe detyrimet në kuadër të MSA-së.

Ky ligj është në shkelje flagrante të ligjit shqiptar nr. 9607, datë 11.9.2006,"Për këshillin konsultativ të biznesit", sipas nenit 1 dhe 2 të të cilit duhej konsultuar paraprakisht me grupet e interesit. Për këto mosrespektime të ligjit më shumë duhet të reagojnë shqiptarët. Në rastin në fjalë duhej të reagonin grupet e interesit të pakonsultuara. Ndërkohë, shkeljet e detyrimeve ndaj BE-së në kuadër të MSA-së, jam e bindur se BE si institucion serioz, nuk do t‘i tolerojë.

Moszbatimi i ligjit (acquis) ose zbatimi me defekte i tij

BE duke bërë skanerin e mungesës së progresit në përmirësimin e zbatimit të ligjit na ndihmon të bëjmë analizën e faktorëve që kanë ndikuar në këtë drejtim që janë renditur si vijon:

Shpërbërja e kapaciteteve njerëzore dhe institucionale. Në këtë kuadër, raporti vëren me shqetësim shkarkimin masiv, në shkallë të gjerë të stafit në një numër sektorësh, përfshirë taksat e doganat.

Pamjaftueshmëria e kapaciteteve njerëzore. Raporti vëren mungesë kapacitetesh për zbatimin e ligjit në një numër fushash, të tilla si të drejtat e pronësisë intelektuale e industriale, përfshirë edhe kapacitetet e sistemit gjyqësor për të adresuar aspektet e pronësisë intelektuale, mungesë kapacitetesh lidhur me administrimin e ligjit të konkurrencës, prokurimit publik, taksave etj.

Mungesa e konsistencës së kuadrit ligjor si p.sh., në rastin e (siç e cilëson raporti) krijimit të një kuadri funksional për raportimin financiar, sidomos në rastin e Ndërmarrjeve të Vogla dhe të Mesme(NMV);

Mungesa e koordinimit mes institucioneve të përfshira. Koordinimi është një fjalë kyç në zbatimin e legjislacionit evropian. Raporti jep një numër mundësish të humbura kur vjen fjala për koordinimin, si p.sh., në rastin e mbrojtjes së konsumatorit, mbrojtjes së pronësisë intelektuale e tregtare, zbatimin korrekt të ligjit të prokurimit publik, shërbimeve të mbrojtjes sociale, etj.

Pamjaftueshmëria e imponimit në zbatimin e ligjit, si p.sh në rastin e zbatimit të legjislacionit mbi pronësinë, përfshirë pronësinë intelektuale, konkurrencën, legjislacionin fiskal, raportimin financiar etj. Por mungesa e qartësisë dhe kapaciteteve për zbatimin e ligjit është shoqëruar me pasiguri të mëdha në të drejtat e pronësisë, gjë që ka frenuar investimet e brendshme e sidomos të jashtme.

Logjika e përafrimit është logjika e thjeshtimit të procedurave

Më duhet të them se qeveria duhet të kuptojë mirë se logjika e përafrimit është logjika e thjeshtimit të procedurave.

Sistemi i analizës së riskut në dogana, i bazuar në teknologjinë e informacionit i shërben rritjes së eficensës dhe thjeshtimit të procedurave. Qeveria duhet të shtrijë modulin e analizës së riskut përtej niveleve aktuale. Niveli aktual i inspektimit fizik është shumë i lartë krahasuar me standardet evropiane

Moszbatimi i ligjit, sidomos i frymës së ligjit, nuk ka rezultuar në përmirësimin e situatës së tregut të brendshëm në fakt

qeveria duket se është në një pozicion pasiv: ajo bën atë që i kërkon BE-ja, në mënyrë inerte - druaj - pa kuptuar se pse duhet bërë kjo apo ajo gjë. Ndërkaq, qeverisë i mungon një sistem monitorimi i orientuar nga rezultatet.

Ne na duhet një treg si i BE-së. Sipas kësaj logjike, ne duhet të miratojmë dhe të zbatojmë rregulla që të ndihen nga konsumatori dhe biznesi. Në fakt, situata në terren ka ndryshuar pak ose aspak. P.sh., pavarësisht nga përpjekjet për mbrojtjen e konsumatorit, situata e sigurisë së produkteve ushqimore dhe joushqimore është problematike; pavarësisht progresit të shënuar në drejtim të adoptimit të standardeve, bizneset përdorin pak standardet dhe certifikimin si instrumente të tregtisë ndërkombëtare; pavarësisht arritjeve në fushën e konkurrencës, kultura e konkurrencës në Shqipëri është e dobët; pavarësisht përpjekjeve në fushën e pronësisë intelektuale e industriale, pirateria dhe falsifikimi i markave është i zakonshëm.

Vlerësim i munguar në legjislacion i kostove dhe përfitimeve ekonomike

Mendoj se një nga faktorët më të rëndësishëm që pamundëson shpesh zbatimin e ligjit është mungesa e analizës mbi kostot reale të akteve ligjore. Dhe këtu nuk e kam fjalën vetëm për kostot buxhetore, por edhe kostot që duhen paguar nga biznesi, qytetarët etj. Në këtë kuadër, është e rëndësishme që transpozimi i legjislacionit evropian - sidomos kur gjykohet që kostot janë të mëdha - të mund të shoqërohet me vlerësimin e kostove dhe përfitimeve ekonomike. Një analizë e tillë do të ndihmojë për përzgjedhjen e instrumenteve që janë më të përshtatshëm për Shqipërinë. Edhe investimet lidhur me përmirësimin e funksionimit të tregut të brendshëm janë të pamjaftueshme.

Tregu i brendshëm për nga vetë natyra e tij kërkon investime masive në drejtim të Pikave të Kalimit të Kufirit (PKK), infrastrukturës së vlerësimit të konformitetit etj. Raporti i Komisionit vëren mangësi të mëdha në PKK, doganat e brendshme, laboratorët e sigurisë ushqimore etj. Kujtoj se përpjekja integruese është "maratonë" dhe jo vrapim shpejtësie. Në këtë kuadër, nevoja për bashkëpunim, midis të gjithë faktorëve dhe aktorëve të procesit të integrimit është domosdoshmëri për sukses, por që deri më sot fatkeqësisht ka mbetur në kuadrin e retorikës.

Këndvështrimi i prezantuar në këtë shkrim bëhet më konkret kur dëgjojmë se: Maqedonia ka bërë përparim të madh, por duhet të vazhdojë reformat e vrullshme, siç tha të mërkurën (23 janar) sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Jaap de Hoop Schefer, pas një takimi me Kryeministrin maqedonas, Nikola Gruevski, në Bruksel. Pra, nuk ka përparim nëse vazhdohet me retorikë, demagogji dhe vetëkënaqësi. Në përfundim shpresoj të kuptohet urgjentisht se duhet bashkëpunim e kompromis për të përcaktuar në këtë frymë me konsensus disa piketa të palëvizshme. Një prej këtyre është qëndrueshmëria e institucioneve. Vetëm kështu reforma integruese mund të zbatohet me sukses, duke shmangur punën nën presion, sa herë që të tjerët na kujtojnë moszbatimin e angazhimeve si në rastin e reformës në drejtësi dhe asaj elektorale. Ftesa për në NATO dhe më pas për në BE, varet nga ritmi dhe cilësia e punës sonë.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›